Qeveria e Kosovës ka dhënë detaje nga diskutimet me palën serbe dhe ndërmjetësuesit, një ditë pas takimit të nivelit të lartë në Bruksel.
Në një komunikatë për media thuhet se është arritur dakordimi që teksti i propozimit të BE-së, mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të mos ndryshojë. Derisa theksohet se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur gatishmërinë për nënshkrimin e marrëveshjes bazë Kosovë – Serbi.
Edhe pse Serbia nuk është treguar e gatshme ta nënshkruajë propozimin, palët do të nisin bisedimet për planin e zbatimit, thuhet në komunikatë.
“Kryeministri Kurti shprehu gatishmërinë për nënshkrimin e Marrëveshjes Bazë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ashtu siç është propozuar nga Bashkimi Evropian dhe mbështetur nga Gjermania, Franca, Italia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mirëpo, pala serbe e refuzoi nënshkrimin. Në takimin trilateral, u dakordua që teksti i Propozimit të BE-së të mbetet i pandryshuar, edhe pse Serbia ende nuk është treguar e gatshme për ta nënshkruar. Palët do të fillojnë bisedimet për planin e zbatimit. Ky plan duhet të përmbajë detaje konkrete dhe të jetë gjithëpërfshirës, të ofrojë efektivitet në zbatim dhe të jetë i sekuencuar në mënyrë të balancuar”, thuhet në njoftim.
Sipas Qeverisë së Kosovës, marrëveshja e arritur mbrëmë është mes palëve që e njohin njëra-tjetrën si të barabarta, dhe është arritur mbi bazën e respektimit të barazisë sovrane të shteteve, respektimit të pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre.
“Marrëveshja, mes tjerash siguron edhe njohjen e ndërsjellë të dokumenteve dhe simboleve shtetërore mes Kosovës dhe Serbisë, vendosjen e misioneve të përhershme si dhe garanton se asnjëra palë nuk e përfaqëson apo vepron në emrin e tjetrës në sferën ndërkombëtare. Me këtë marrëveshje, Serbia po ashtu obligohet të mos pengojë apo kundërshtojë anëtarësimin e Republikës së Kosovës në cilëndo organizatë ndërkombëtare.”
Dje në Bruksel është mbajtur takimi i gjashtë i nivelit të lartë në kuadër të procesit të dialogut. Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka treguar gatishmëri për të nënshkruar planin evropian, porse Serbia nuk ka qenë e gatshme.
Takimi i radhës i nivelit të lartë politik pritet të mbahet gjatë muajit mars.
/TV Malisheva