Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e sotme ka marrë një sërë vendimesh. Ekzekutivi ka vendosur që 14 prilli të jetë Ditë Memoriale e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës se fundit në Kosovë, derisa ka miratuar udhëzimin për regjistrimin e pronës së paluajtshme të përbashkët në emër të dy bashkëshortëve. Po ashtu, Qeveria ka shkarkuar kryesuesin e bordit të Trainkosit dhe ka emëruar bord të përkohshëm.

Krahas kësaj, qeveria i ka dhënë dritë të gjelbër Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes Financiare ndërmjet Kosovës dhe BE-së për programin IPA 2022, si dhe ka ndarë 287 mijë euro për kompensimin financiar njëhershëm për delegatët e legjislaturës së vitit 1990. Ndërkohë, është shkarkuar kryesuesi i bordit të Trainkosit, Nol Dedaj dhe është vendosur një bord i përkohshëm në këtë institucion.

Duke arsyetuar,Projektligji për përfaqësimin e institucioneve shtetërore në procedura gjyqësore dhe arbitrazh, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se i njëjti do të fuqizojë Avokaturën Shtetërore.

Haxhiu: Kemi punuar në fuqizimin e Avokaturës Shtetërore

“Që nga marrja e mandatit ne kemi punuar në fuqizimin e institucionit të Avokaturës Shtetërore, që është në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë. Së fundmi, kemi rritur edhe numrin e avokatëve shtetëror, sepse numri i tyre ka qenë jashtëzakonisht i vogël, prandaj do të vazhdojmë fuqizimin e mëtejmë edhe të këtij institucioni edhe përmes projektligjit”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ka treguar nevojën për përditësimin e listës strategjike për mallra ushtarake.

Hajdari: Në listë përfshihen mallra që vihen në kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare

“Në listën shtetërore të mallrave të kontrolluara strategjike përfshihen lista evropiane e mallrave me përdorim të dyfishtë dhe lista e përbashkët ushtarake. Si dhe mallrat që vihen në kontroll për shkaqe të sigurisë kombëtare, politikës së jashtme sigurisë politike ose për arsye të të drejtave të njeriut”, ka shtuar Hajdari.

Në anën tjetër, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke arsyetuar shkarkimin e kryesuesit të brodit të Trainkosit, ka thënë se ai nuk ka përmbushur përgjegjësitë e tij.

Rizvanolli: Kryesuesi i bordit Trainkos ka përmbushur përgjegjësitë e tij

“Kryesuesi i bordit ka shkelur detyrat fiduciare dhe nuk ka përmbushur përgjegjësitë e parapara me kodin e etikës dhe qeverisjes korporatave”, ka thënë ajo.

Ajo ka prezantuar edhe emrat e bordit të përkohshëm jo më gjatë se gjashtë muaj, me kryesues Riza Spanca dhe anëtarë: Astrit Mehaj, Hasan Preteni dhe Shaban Neziri.

/TV Malisheva

Share.