Save the Children në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Institutin Pedagogjik, kanë organizuar konferencën ndërkombëtare “Fuqizimi i kujdesit, zhvillimit dhe edukimit në fëmijërinë e hershme”, ku u tha se për fëmijërinë e hershme në Kosovë nuk është bërë sa duhet. Ahmet Kryeziu, drejtori i Save dhe Children në Kosovë, tha se përmes projekteve të tyre kanë rritur gradualisht cilësinë dhe disponueshmëris e shërbimeve për fëmijëri të hershme. Labërie Luzha nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë tha se Kosova e ka zhvilluar mjaftë shumë legjislacionin që mbron fëmijët por që sipas saj, sfidë mbetet nevoja për forma fizike dhe mënyra alternative për qaje në shërbime të fëmijërisë së hershme. Sipas saj, investimi në fëmijërinë e hershme është investim në të ardhmen e një shtetit prandaj ajo këshilloi që të krijohen programe adekuate që ndihmojnë në edukimin e fëmijërisë së hershme. Merita Vuthaj, udhëheqëse e divizionit për shëndetësinë e nënës dhe fëmiut, pranë Ministrisë së Shëndetësisë, kërkoi investim më të madh në shërbimet shëndetësore për fëmijërinë e hershme pasi siç tha ajo sfidë mbetet edhe vdekshmëria e madhe e foshnjave në Kosovë.Ajo tha se si ministri kanë arritur të shtrijnë vizitat nëpër shtëpi në 22 komuna dhe të trajnoi mbi 600 punëtorë mjekësor, social e edukatorë. Nezir Çoçaj nga Instituti Pedagogjik i Kosovës tha se IPK ka synim investimin dhe zhvillimin e vazhdueshëm në sistemin arsimor të hershëm duke ngritur në nivel bashkohor dhe standardeve bashkëkohore. Ai tha se Instituti ka bërë hulumtime për edukimin parashkollor që ndikojnë në ngritjen e cilësisë së edukimit tek fëmijët. Në këtë konferencë prezent ishte përfaqësuesi nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hillen francke e cila tha se alarmante kanë qenë rezultatet e testit PISA të cilët e kanë renditur poshtë Kosovën, dhe kjo sipas saj, tregon interesimin e Kosovës për fëmijërinë e hershme. Francke tha se në Kosovë ka një hendek të madh në mes shkathtësive dhe asaj çka prodhon sistemi arsimor. Ajo kërkoi nga qeveria e ardhshme që ta ketë prioritet edukimin në fëmijërinë e hershme. Po ashtu, në konferencë pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve dhe profesionistë të fëmijërisë së hershme. Konferenca ndërkombëtare “Fuqizimi i Kujdesit, Zhvillimit dhe Edukimit në Fëmijërinë e Hershme” do vazhdoj edhe gjatë ditës se nesërme./B.Ibishi/

Share.