Personi i plagosur mëngjesin e sotëm te Tregu i Automjeteve i është nënshtruar operacionit dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë.
Këtë e bëri të ditur Shefi i Qendrës Emergjente, Gëzim Mustafa, i cili tha se pacienti i është nënshtruar intervenimit nga ekipi i kirurgjisë abdominale.
“Pacienti i është nënshtruar intervenimit kirurgjik në sallën operative të Emergjencës nga ekipi i kirurgjisë abdominale, ata na thanë është jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe, personi në fjalë është plagosur sot rreth orës 07:30 te Tregu i Veturave, përkatësisht në rrugën Fushë Kosovë-Prishtinë.
Këtë e ka konfirmuar edhe Zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 07:30 kemi pranuar informatën se në Tregun e Automjeteve në Prishtinë, një person është plagosur. Viktima është dërguar për tretman mjekësor”, ka thënë Ahmeti.
Njësitet e policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet lidhur me rastin, shkaqet e të cilit, ende nuk dihen.