Qytetarët e Kosovës do të mund të lëvizin lirshëm pa viza në zonën Shengen pas 19 ditësh. Nga 1 janari zyrtarisht do të hyjë në fuqi liberalizimi i vizave, duke bërë kështu që qytetarët që kanë pasaporta valide të udhëtojnë pa pasur nevojë për vizë.
Ndonëse kanë mundësi të udhëtojë pa u malteratuar nëpër ambasada qytetarët i thanë Ekonomia Online se nuk do të kenë mundësi materiale që të shkojnë në Evropë për pushime.
Madje ata janë shprehur të shqetësuar që pas një janarit do të ketë ikje të madhe të rinjve. Hasan Qerimi, tha se nuk do të ketë mundësi që të udhëtojnë jashtë vendit duke marr parasysh standardin në Kosovë.
Ai si shqetësues e sheh faktin që në Kosovë me dekada sipas tij, nuk është punuar në krijim e vendeve të punës dhe për këtë ai thotë se shumë të rinj mund të largohen nga vendi.
“Nuk kemi me pas pare mu kënaq se nuk e kemi standardin dhe vendi i huaj nuk është si mendon rinia sodit, ajo është një dhimbje e madhe për popullin tonë se po të shkojnë në një e vend të huaj do të duhet ta dish gjuhën, duhet ta dish kulturën e sene tjera nuk është e lehtë qysh mendojnë”.
“Një pjesë kanë me u largu, nuk është punuar që dekada si duhet edhe rinia nuk është e kënaqur me gjendjen, nuk u punua asgjë, nuk u ndërtua asgjë. Po mendoj fabrika vende të punës që ma mirë me kontribuar se kemi një rini të mrekullueshme por për fat të keq e keqja jonë është kjo”, tha ai.
Kastrat Halimi, tha se ka mundësi që të udhëtojnë jashtë shteti pas një janari.
“Nuk ka me pas ndryshim këtu të gjithë të rinjtë kanë me shkuar jashtë. Kemi me pas pare me udhëtuar jashtë shtetit qysh kemi shkuar në pushime, do të shkojmë edhe jashtë”, tha ai.
Enver Balaj, tha se do të kenë mundësi që të udhëtojnë në vendet e BE-së pas liberalizimit të vizave, kjo pasi sipas tij, do të ju mundësohet edhe me ndihmën e familjarëve.
“Puna që ka me ndodh liberalizimi i vizave 2024 kena me pas financa na pa viza kemi bërë zgjidhje me udhëtuar e tashmë kur na bëhen vizat na gjithherë bëjmë zgjidhje se kemi njerëz të familjes cilat na dhënë remitanca për me shkuar botën e jashtme”.
“Po disa i sigurojnë vet janë në marrëdhënie këtu dhe shkojnë për shoping, shkojnë edhe me shëtit me ble gardërobë, me vizituar Gjermanin apo Zvicrën, Evropën Perëndimore”, tha ai.
Më 18 prill të këtij viti Parlamenti Evropian miratoi vendimin që qytetarët e Kosovës të lëvizin të lirë në vendet e BE-së nga 1 janari i vitit 2024.
/TV Malisheva