Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë me rastin e fillimit të Ramazanit, duke thënë se ky muaj i shenjtë le të shërbejë për të shtuar rritur durimin tonë për të respektuar masat mbrojtëse ndaj përhapjes së pandemisë COVID-19.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar, se muaji më i shenjtë për besimtarët islam, kësaj radhe do të jetë më ndryshe, pasi besimtarët nuk do të mund ta falin namazin në xhami për shkak të sëmundjes së rrezikshme që ka prekur edhe vendin tonë.

“Le të jetë ky Ramazan, edhe një mundësi e mirë për ne të gjithë, të rrisim kujdesin për të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus, por edhe për të gjithë të tjerët që po i vuajnë pasojat e kësaj pandemie”, ka shkruar Begaj.

Postimi i plotë:

Urime muaji i shenjtë i Ramazanit!
Të nderuar qytetarë të Komunës së Malishevës. Të nderuar besimtarë të besimit Islam. Më lejoni që sot në prag të fillimit të muajit të shenjtë të Ramazanit, t’ju uroj të gjithëve dhe të ju dëshiroj agjërim të lehtë. Nesër fillon muaji më i shenjtë për besimtarët islam, por kësaj radhe do të jetë një ramazan më ndryshe, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia me virusin COVID-19, sepse besimtarët nuk do të mund ta falin namazin nëpër xhami. Sidoqoftë, le të jetë ky ramazan, edhe një mundësi e mirë për ne të gjithë, të rrisim kujdesin për të gjithë ata që janë të prekur nga ky virus, por edhe për të gjithë të tjerët që po i vuajnë pasojat e kësaj pandemie. Le të jetë ky muaj edhe një mundësi më shumë, për të rritur durimin tonë, për të respektuar masat mbrojtëse ndaj kësaj sëmundje.
Po ashtu në këtë fillim të muajit të dashur të Ramazanit, i falënderoj të gjithë imamët dhe Bashkësinë Islame në Malishevë, për ndihmën e dhënë, për tejkalimin e kësaj situate.
E lus Zotin të na e pranoj dhe lehtësoj agjërimin, dhe në shenjë respekti për këtë muaj të shenjtë, të na e largoj këtë sëmundje nga njerëzit e Komunës dhe Kosovës tonë të shenjtë dhe të shtrenjtë

Share.