Në zonat turistike të Shqipërisë janë hapur 29 qendra shëndetësore, për të garantuar kujdes shëndetësor cilësor për pushuesit dhe turistët që do të frekuentojnë Shqipërinë këtë sezon veror.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ndau sot përmes rrjeteve sociale nga këto qendra shëndetësore, ku shërbejnë 160 mjekë dhe infermierë të trajnuar për emergjencat.
“Kudo ku keni zgjedhur të pushoni këtë të diel, në mal apo buzë detit, kemi siguruar kujdes shëndetësor 24 orë për pushuesit dhe turistët nga veriu në jug, me rrjetin e qendrave shëndetësore verore, për një sezon turistik të sigurt”, shkruan Rama.
Barnat dhe materialet mjekësore në këto qendra janë të garantuara, ndërkohë që qytetarët mund të telefonojnë edhe Urgjencën Kombëtare (127) për çdo emergjencë shëndetësore.
Janë 29 QSH verore 24-orëshe të hapura në të gjithë vendin, nga veriu në jug, nga zonat turistike malore në bregdet përgjatë sezonit turistik veror gjatë periudhës 15 qershor–15 shtator.
Në veri funksionojnë 8 qendra shëndetësore, nga të cilat katër janë në zonat turistike malore (Valbonë, Razëm, Tamarë dhe Theth) dhe katër të tjera në plazhet Velipojë, Rrjoll, Shëngjin e Tale në Lezhë. Në Durrës funksionojnë 4 qendra shëndetësore, konkretisht në plazhet Gjiri i Lalëzit, Currila, Plazhi i Vjetër dhe Shkëmbi i Kavajës, ndërsa në Kavajë funksionojnë qendrat 24-orëshe në plazhet Golem dhe Mali i Robit.
Në rajonin e jugut funksionojnë këto qendra shëndetësore verore: Në Pogradec; në Lushnjë në plazhin e Divjakës; Në Fier në plazhin e Darëzezës; Në Vlorë në katër plazhe, konkretisht në Zvërnec, Plazhi i Vjetër Vlorë, Radhimë, Orikum; Në Bashkinë Himarë: Palasë, Dhërmi, Drimadhes, Himarë, dhe Qeparo. Në Sarandë në plazhet Borsh, Ksamil i vjetër dhe Ksamil i Ri./TV Malisheva