Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama deklaroi sot se BE dështoi të mbajë premtimin e saj për negociatat.
Ai në një konferencë të përbashkët me homologun nga Maqedonia Veriore, Zoran Zaev në Shkup tha se pavarësisht shtyrjes së vendimit për hapjen e negociatave për anëtarësim Shqipëria do të vazhdojë të punojë për rritjen e ekonomisë së saj dhe mirëqenien e qytetarëve.
“Për mua s’ka ndodhur asgjë tjetër veçse që BE dështoi të mbajë premtimin. Ne jemi të vendosur të vazhdojmë të rrisim ekonominë, mirëqenien, krenarinë, dinjitetin e popujve tanë. BE mund të caktojë detyra për integrimin, afate për to, data, por nuk cakton dot vendndodhjen dot në mes të Evropën as kulturën dhe identitetit tonë evropian, as të ardhmen tonë si popuj evropian, në shtetet evropiane, me standarde evropiane. Shqipëria e ka bërë zgjedhjen e sa që në kohën e Skënderbeut, për shqiptarët dielli lind aty ku perëndon, e ardhmja jonë është aty ku zoti na ka caktuar të kemi tokën tonë, në zemër të Evropës”, tha Rama.
Për më tepër, kreu i qeverisë shqiptare ka potencuar se vendet e rajonit duhet të vazhdojnë bashkëpunimin ekonomik.
“Bashkëpunimi rajonal do të vazhdojë me të gjitha shtet e Ballkanit Perëndimor që janë të gatshme të shtyjnë para, sepse ky rajon është i rrethuar nga kufijtë e BE-së dhe nëse nuk e ndryshojmë mënyrën e funksionimi të tyre në raport me ne, ne duhet të ndryshojmë mënyrën e funksionimit me njëri-tjetrin, shkrirja e kufijve mes nesh që ta kthejmë rajonin tonë në zbatim të katër lirive të BE, liria e njerëzve, mallra shërbime e kapitale, do të vazhdojë pa u ndalur. Ne jemi shumë të vegjël për të pasur ekonomi të forta duke qëndruar të ndarë nga njëri-tjetri, por nëse jemi bashkë, e kthejmë rajonin në një hapësirë të përbashkët ekonomie”, u shpreh Rama.
Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Europian, i mbledhur në Luksemburg vendosi të shtyjë datën për konferencën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për shkak të Bullgarisë e cila do të bllokonte procesin për shkak të mos marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë në fillim të mbledhjes u konfirmua se Shqipëria i ka përmbushur kriteret për negociatat./TV Malisheva