Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka deklaruar se Qeveria që ai drejton po punon për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla.
Ai pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste ka bërë të ditur se nesër do të nisë një turne në të gjithë Shqipërinë për të komunikuar me të gjitha komunitetet rreth qeverisjes vendore dhe sfidave, raporton TV Malisheva.
Rama, i cili është edhe kryetar i Partisë Socialiste të Shqipërisë, u shpreh se përkundër që kërcënimet e mëdha që po kalojnë janë shkaktuar nga lufta në Ukrainë, sipas tij i takon qeverisë që të gjithçka për të lehtësuar përballjen me inflacionin e luftës.
“Kemi hyrë në një epokë të një kërcënimi të madh botërisht. Evropa, ne si pjesë e saj jemi të detyruar të përballemi me kërcënimin e madh të kësaj epoke që vjen nga një agresion në dyert e Evropës, që ka sjellë si pasojë, përveç bombave dhe krimeve të panumërta në Ukrainë, edhe rritjen e çmimeve të energjisë, të produkteve bazë në të gjithë botën, por patjetër në Evropë dhe sigurisht edhe në Shqipëri. Është një Inflacion lufte. Kostoja që i paguajmë aventurës së një diktatori si Vladimir Putin, por nga ana tjetër edhe pse nuk është qeveria që ka sjellë inflacionin, i takon qeverisë, i takon shumicës qeverisëse që të bëjë gjithçka për të lehtësuar sa të jetë e mundur peshën e kësaj lufte mbi kurrizin e ekonomisë së vendit dhe patjetër edhe mbi shpatullat e familjeve. Për këtë arsye, kemi bërë gjithçka kemi mundur dhe do vazhdojmë të bëjmë gjithçka mundemi. Jemi duke finalizuar buxhetin e vitit të ardhshëm, i cili është dyfishi i buxhetit të vitit 2013, çka tregon se shumëçka ka ndryshuar pozitivisht në funksion të së ardhmes së vendit, por patjetër ky dyfishim i buxhetit është mbi të gjitha i bazuar te domosdoshmëria për të vazhduar të mbështesim që të gjithë sa të jetë e mundur”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryeministri shqiptar shprehu këmbënguljen e tij për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe bizneset e vogla.
“Patjetër që do vazhdojmë të qëndrojmë me këmbëngulje te plani për të mbrojtur çmimin e energjisë për familjet dhe biznesin e vogël. Urojmë që të kemi edhe shiun e nevojshëm pasi dihet që ne jemi shumë të varur nga burimet ujore dhe duke pasur më shumë prurje shiu, kemi më pak nevojë për të dalë në import që gjithsesi do të vazhdojmë të dalim, sepse në asnjë rast, edhe sikur të kemi plot e përplot hidrocentralet, Shqipëria nuk prodhon sa për të përmbushur të gjitha nevojat dhe jemi shumë besimplotë që do ta kapërcejmë këtë dimër pa dhimbje të mëdha. Sigurisht do të jetë dimër i vështirë, por masat që kemi marrë dhe mbështetja masive që do vazhdojmë t’i japim të gjitha kategorive, besoj se do ta lehtësojnë dimrin në mënyrë te arsyeshme”, tha Rama.
Kryeministri Rama drejtoi kritika edhe ndaj opozitës duke thënë se për fat të keq kanë një opozitë, e cila premton vetëm izolim nga bota. /TV Malisheva