Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka bërë thirrje sërish NATO-s që Kosova të përfshihet në mekanizmin e Partneritetit për Paqe.

Në konferencën për media, pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, të mërkurën në Bruksel, Rama tha se e di që ka disa kufizime politike për këtë çështje, mirëpo përfshirja e Kosovës në këtë mekanizëm të sigurisë është gjë e mençur.

Rama: Kosova të përfshihet në Partneritetin për Paqe të NATO-s

“Pata edhe njëherë shansin të them atë çka kam përmendur në Samit, nevojën për të konsideruar përfshirjen e Kosovës në Partneritetin për Paqe, edhe pse e dimë se ka disa kufizime politike nga disa aleatë. E dimë se ky është një mekanizëm konsensual, por në kohën që po jetojmë, në këndvështrimin tim modest është mençuri që kjo të rikonsiderohet”, tha Rama.

Krahas kësaj, Rama tha se Shqipëria si vend anëtar i NATO-s do të luajë rolin e saj për paqe në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, është e rëndësishme që të vijohet një dialog i përhershëm me të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Serbinë që nuk është vend i aleancës.

Rama: Koncepti i ri strategjik thekson rolin e Ballkanit Perëndimor për NATO-n

“Është e rëndësishme të vazhdojmë bashkëbisedimin tonë për situatën dhe detyrimet që ne kemi në Ballkanin Perëndimor që të parandalojmë çdo përshkallëzim dhe çdo ndikim i keq të kthehet në probleme për rajonin tonë. Në kapacitetin tonë si vend aleat do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë në mbështetje të paqes rajonale, të pajtimit dhe sigurisht, të stabilietit. Ndërkohë, koncepti i ri strategjik thekson rolin e Ballkanit Perëndimor për NATO-n, ne besojmë se është tejet e rëndësishme që të vijojmë një dialog të përhershëm me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Serbinë që nuk është ende pjesë e aleancës, por ende është pjesë e rajonit tonë”, tha ai.

Ndërkohë, foli edhe për nevojën e ndërtimit të një baze së flotës detare nga NATO në Shqipëri.

Rama: Është e rëndësishme baza e flotës detare në Shqipëri

“E vlerësoj shumë qëndrimin tuaj për të na kushtuar pak kohë në bisedën tonë, për t’iu prezantuar ambicien tonë për të shtuar një vlerë tjetër të rëndësishme në infrastrukturën dhe logjistikën e aleancës sonë. Duke vënë në dispozicion të NATO-s një bazë të flotës detare të fjalës së fundit që do të jetë një vend, jo vetëm që mund të ndërtohet, por duke marrë parasysh sfidat dhe gjithçka tjetër”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg, tha se Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n, derisa vlerëosi angazhimin e Shqipërisë për të nxitur stabilitet dhe bashkëpunim në rajon.

Stoltenberg: Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO- n

“Ballkani Perëndimor ka rëndësi strategjike për NATO-n. Ne vlerësojmë angazhimin e Shqipërisë për të nxitur stabilitet dhe bashkëpunim në rajon. Në Samitin e NATO-s në Madrid, ne morëm vendime me efekte thelbësore për të forcuar aleancën. Këtu përfshihet një ndryshim thelbësor në qëndrimin për mbrojtjen, mbështetje më të madhe për Ukrainën, si dhe një koncept të ri strategjik. Ne po ashtu ishim dakord që të ftojmë Finlandën dhe Suedinë në NATO. Përgëzoj Shqipërinë për ratifikimin e protokolleve të anëtarësimit kaq shpejt. Kjo dëshmon se dera e NATO-s është e hapur dhe se vazhdojmë të përkrahim të drejtën e çdo vendi të ndjek rrugën e vet”, theksoi ai.

Përfshirjen e Kosovës në mekanizmin e Partneritetit për Paqe, Rama e kërkoi javë më parë edhe në Samitin i NATO-s në Madrid të Spanjës.

/TV Malisheva

Share.