Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur edhe njëherë pakënaqësinë e tij kundër vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut që po mban bllokuar procesin e integrimit edhe për Shqipërinë.
Gjatë mbërritjes së tij në Bruksel, Rama ka folur me gazetarët dhe në një moment i është drejtuar edhe televizionit shtetëror bullgar BNT 1.
“Ju jeni rrëmujë djema, jeni një rrëmujë e madhe.
Ju jeni një turp!”, i ka thënë Rama gazetares bullgare.
“Po mbani peng dy vende të tjera të NATO-s.
Nuk pres lajme të mira sot, sepse siç e thashë dje u ngrit optimizmi por këtu jemi dhe është një ditë e re në Europën, por jo në Bullgari”, u shpreh Rama.
Gjatë fjalës së tij për gazetarët, Rama u shpreh se nuk pret që çështja në Bullgari të zgjidhet.
Liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian takohen sot dhe nesër në Bruksel për të diskutuar për dhënien e statusit të vendit kandidat, Ukrainës, Moldavisë dhe Gjeorgjisë.
Dita e dytë e samitit do të fokusohet në çështjet e eurozonës, ndërsa do të mbahet edhe një takim i nivelit të lartë për Ballkanin Perëndimor, ku pritet të diskutohet për fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Unioni pritej që të hapte bisedimet e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në fund të vitit 2020.
Por, Bullgaria ka bllokuar hapjen e bisedimeve zyrtare për shkak të një mosmarrëveshjeje me Maqedoninë e Veriut që lidhet me historinë dhe gjuhën. /Telegrafi/