Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka lavdëruar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq se përmes marrëveshjes për dokumente ka dhënë sinjale paqeje me Kosovën.

Në Beograd të Serbisë, gjatë samitit të Ballkanit të Hapur, Rama tha se Kosovës nuk do t’i duhej të humbte aq shumë kohë dhe energji për ta zgjidhur çështjen e lëvizjes me letërnjoftime me Serbinë, nëse do të kishte qenë pjesë e “Ballkanit të Hapur”.

Rama: Vuçiq dha sinjale paqeje me Kosovën

“Dje mund të ishte një ditë krejt tjetër për hir të vërtetës. Mund të ishte një ditë ku ne mund të mos ishim fare këtu, ku mediat tona dhe të Evropës të ishin mbushur me lajme shqetësuese për atë që ndodh mes kufirit Serbi-Kosovë. Dje u tregoi qartë se cila është rruga dhe cila është zgjidhja e Ballkanit të Hapur. Sot dua të them me krenari dhe kënaqësi se edhe zgjidhja e lëvizjes me karta identiteti është zgjidhja e Ballkanit i Hapur. Dje ia kam thënë një gazetare serbe se nuk do të kishte qenë nevoja të humbet gjithë ajo energji që Kosova dhe vendet e tjera do të ishin në Ballkanit të Hapur. Për këtë dua t’i shpreh respektin tim presidentit të Serbisë që duke materializuar këtë zgjidhje ka dhënë një sinjal shumë të qartë për të gjithë. Zgjedhja e parë, është paqja dhe zgjidhja për njerëzit. Natyrisht kjo nuk zgjidh të gjitha, as nuk e bën çështjen që ne na ndan një çështje të zgjidhur, por kjo është rruga”, tha ai.

Ndërkohë, sipas presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, përmes Ballkanit të Hapur, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë lidhur më shumë me njëra-tjetrën dhe se marrëdhëniet e tyre janë në maksimumin historik.

Vuçiq: Jemi lidhur më shumë përmes Ballkanit të Hapur

“Më duket se ne jemi shumë të lidhur dhe kemi nevojë të ndërsjellë për njëri-tjetrin. Kjo tregohet nga shpeshtësia e takimeve tona. Pavarësisht faktit se disa nuk janë ende pjesë e nismës, ndoshta disa të tjerë nuk do të jenë, ne mund të zhvillojmë bashkëpunim të suksesshëm dhe nuk besoj se bëj gabim të them se marrëdhëniet tona në Ballkanin Perëndimor mes tre vendeve tona janë në maksimumin historik. Më kujtohet takimi i parë pas 70 vitesh pas takimit të Titos dhe Enver Hoxhës, kur u takuam unë e Edi Rama. Ishte një takim me energji të jashtëzakonshme politike, ndërkohë sot janë takime miqësore, bizneset dhe qytetarët tanë po kuptojnë shumë më mirë njëri-tjetrit”, theksoi ai.

Bashkëpunimin e ndërsjellë e vuri në pah edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovacevski.

Kovacevski: Po punojmë për shkëmbimin e energjisë elektrike

“Po punojmë për shkëmbimin e energjisë elektrike për të përmirësuar këtë shkëmbim në nivel ndërkufitarë”, tha ai.

Pjesë e këtij samiti ishte edhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, i cili përshëndeti këtë nismë.

Ai përmendi edhe dialogun Kosovë-Serbi, sipas tij marrëveshja për dokumentet tregon se dy vendet duhet të përqendrohen tek interesat e përbashkëta në vend të dallimeve. Ndërkohë kërkoi një ujdi për çështjen e targave të automjeteve dhe çështjeve të tjera.

Çavusoglu: Turqia do të nxisë dialogun për të arritur një marrëveshje për targat

“Nismën e Ballkanit të Hapur e shohim si një urë, midis Ballkanit dhe Bashkimit Evropian. Në të shkuarën zgjerimi ishte një prej politikave më të suksesshme të BE-së, por BE-ja është kthyer në vështrimin për brenda dhe interesat e brendshme kanë marrë pengë politikën e zgjerimit…Marrëveshja për kartat e identitetit tregon dhe vërteton se duhet të përqendrohen tek interesat e përbashkëta në vend të dallimeve. Turqia ka komunikim të hapur me dy palët dhe do të vazhdojmë të nxisim dialogun për të arritur një marrëveshje për targat dhe çështjet e tjera që mbeten”, tha ai.

Pjesë e këtij samiti ishin edhe kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryetari i Këshillit të Ministrave në Bosnje dhe Hercegovina, Zoran Tegeltija.

Ndërkohë, përkrahje ofroi edhe ministri i Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijjarto./TV Malisheva

Share.