Sot shënohen 11 vjet nga 21 janari, ku gjatë protestës të Partisë Socialiste mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.

Kryeministri Edi Rama, ministra, deputetë të Partisë Socialiste, familjarët e 4 protestuesve të vrarë si dhe qytetarë, zhvilluan sot homazhe për viktimat e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Me lot në sy dhe karafila të kuq në duar, ata përkujtuan 4 të vrarët në protestën e 21 janarit 2011.

Bashkë me kryeministrin, familjarët u përkulën për të vendosur lule në pllakat përkujtimore, që ndodhen në vendet ku ata u vranë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, pranë Kryeministrisë.

Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë “Dëshmorë të Atdheut”.

Prokuroria e Tiranës vendosi në qershor të 2021 rifillimin e hetimeve për 21 janarin./TV Malisheva

Share.