Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite. Gjatë një konference për media, Rama bëri të ditur se investimi do të kap vlerën deri në 7 miliardë euro.

Pas gërmimeve në 6002 metra në thellësi të tokës në Shpirag nga kompania “Shell”, është prekur një rezervë e madhe gazi e nafte e cilësisë më të lartë.

Testi përfundimtar pritet të nisë në tetor të këtij viti, e ndërsa për kreun e qeverisë nëse gjithçka rezulton e suksesshme, atëherë do të shënohet një pikë kthese për jetën ekonomike të vendit. Ai tha se do të ndikojë në çdo hallkë të shoqërisë.

“Lajmi tjetër fantastik është që nafta e zbuluar është e cilësisë më të lartë. Është hera e parë që kjo ndodh në vendin tonë sepse burimet e naftës që janë zbuluar në të shkuarën dhe që janë shfrytëzuar dhe shfrytëzohen akoma siç është për shembull, Patos – Marinza, janë burime të një nafte të rëndë që si e tillë përdoret për bitum, solar, por nuk është një naftë që mund të hyjë në konsumin e automjeteve dhe vlera e saj është shumë modeste. Ndërkohë që sipas analizave të bëra bën laboratorin e Holandës, nafta e zbuluar në zonën e Shpiragut është një naftë e të njëjtës cilësi me naftën premium të Arabisë Saudite”, deklaroi Rama.

Rama tha se i gjithë investimi për infrastrukturën dhe logjistikën për depozitimin dhe ndarjen në gaz, naftë dhe sulfut, do të arrijë deri në 7 miliardë euro.

“Investimi i parashikuar dhe projekti që do të realizohet nga kompania nis me 3 miliardë euro dhe projeksioni është që deri në përfundim të të gjithë infrastrukturës së nevojshme pasi do të fillojë puna për një sërë shpimesh për të krijuar gjithë kompleksin e nevojshëm për nxjerrjen e kësaj pasurie, është 7 miliardë euro investime në vendin tonë. Një investim që parashikon ndërtimin e gjithë infrastrukturës dhe logjistikës për depozitimin e rezervës, ndarjen në gaz, në naftë dhe në sulfur”, vijoi Rama.

Po ashtu, Rama tha se ka filluar eksplorimi i fushës së Dumresë ku kompania italiane në fushën e shfrytëzimit të burimeve nëntokësore natyrore “Eni” është në punë dhe sipas kryeministrit aty ka të dhëna shumë optimiste dhe inkurajuese, por puna është në fazë fillestare.

Gjithashtu, Rama paralajmëroi ngritjen e Fondit Sovran që do të administrojë këtë pasuri të madhe kombëtare.

Rama tha se çdo shqiptar duhet të jetë i bindur që kjo pasuri e madhe është dhe e tija dhe kjo pasuri e madhe do të jetë një mbështetje për çdonjërin.

“Nuk e kam fjalën këtu që çdonjëri do marrë një kovë me naftë apo do marrë lekë në dorë, por e kam fjalën që përfitimi ekonomik dhe financiar nga kjo pasuri do të impaktojë pensionet, do të impaktojë bilancin e pagesave të Republikës së Shqipërisë padiskutim, do të impaktojë, nuk diskutohet, sistemin e arsimit, sistemin e shëndetësisë dhe do të impaktojë mirëqenien e fëmijëve tanë në radhë të parë sepse ata do të jenë përfituesit më të mëdhenj nëse ne do të dimë të ndërtojmë si duhet dhe ne do të dimë ta ndërtojmë si duhet se nuk po e bëjmë vetëm, një fond sovran, serioz dhe me një përgjegjësi të madhe për mbrojtjen, garantimin dhe fuqizimin e sovranitetit ekonomik të vendit”, tha Rama.

Rama ndër të tjera tha se për shkak të keqadministrimit, keqqeverisjes, keqkuptimit të madh dhe abuzimit historik me burimet natyrore në të kaluarën, fjala naftë në mendjen e qytetarëve shqiptarë është bërë sinonim i fjalës vjedhje, por tha se e kanë luftuar këtë dukuri duke vendosur marrëdhënie kontraktuale me kompanitë si “Shell” apo “Eni”, të një niveli ndërkombëtar.

/TV Malisheva

Share.