Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë të përbashkët me Presidentin e Këshillit të BE-së, Charles Michel, ka thënë se Ballkani i Hapur është proces që për themel ka Procesin e Berlinit. Rama i është kthyer historisë së pas Luftës së Dytë Botërore për të ilustruar mospërfshirjen e Kosovës në Ballkanin e Hapur shkaku i mosnjohjes nga Serbia.
Kryeministri i Shqipërisë duke përmendur shembullin e Gjermanisë dhe Francës, ka aluduar se s’mund të vijë deri kërkimfalja nga Serbia për luftën në Kosovë për të filluar bashkëpunimi ndërshtetëror.
Sipas tij fillimisht duhet të ndodhë lëvizja e lirë.
“Historia na ka mësuar që nuk arrihet te paqja përfundimtare dhe te zgjidhja e gjithë konflikteve duke mos u ballafaquar në tavolinë për ta filluar nga gjërat më thjeshta që mund të zgjidhen më kollaj dhe për të bërë ato bashkëpunime që janë të rëndësishme për njerëzit në jetën e tyre të përditshme. Nuk mund të mbahen njerëzit pengje të lëvizjes nga të katër anët se duhet të arrijmë paqen përfundimtare pastaj të fillojmë të lëvizim e kundërta është e vërtetë. E kam sjellë këtu disa herë shembullin, Gjermania i kërkoi falje Francës kur erdhi Vilibrandi, por deri atëherë kishin ndodhur gjëra të tjera dhe nuk u fillua nga falja u fillua nga komuniteti i përbashkët që u ngrit si një proces bashkëpunimi këtë duhet të bëjmë edhe ne dhe këtë do të bëjmë”, ka thënë Rama.
Tutje para gazetarëve Rama tha se Gjermania s’është kundër Ballkanit të Hapur por kërkon që procesi të jetë gjithpërfshirës.
“Dje isha në Berlin, dhe miti që është krijuar që Gjermania është kundër Ballkanit të Hapur është një ushqim për konsum lokal, Gjermania nuk është kundër Ballkanit të Hapur por kërkon që të jetë gjithpërfshirës dhe të gjithë janë të inkurajuar për gjithpërfshirje. Presidenti solli shembullin e Beneluksit, kështu nisi edhe Ballkani i Hapur është proces dhe është një nismë që synon jetësimin e të gjitha parimeve të BE-së. Procesi i Berlinit që është themeli i Ballkanit të Hapur nuk mund ta implementojë Berlini, Parisi apo Brukseli por duhet ta implementojmë ne”, ka thënë ai.
/TV Malisheva