Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se shkarkimi i presidentit Ilir Meta është i pakthyeshëm, raporton TV Malisheva.

Në seancën e Kuvendit, e cila ka nisur orë më parë, Rama tha se Meta si president ka turpëruar identitetin kombëtar në arenën ndërkombëtare.

Sipas shefit të Ekzekutivit në Shqipëri, Meta ka humbur të gjitha shanset për t’u rikthyer në binarët ligjorë.

“Meta ka poshtëruar Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka shembur institucionin e garantit të unitetit, ka dhunuar kufirin jetik të ndarjes së pushteteve në demokracinë parlamentare, Meta ka turpëruar Shqipërinë dhe shqiptarët në marrëdhënien me SHBA, ka zhgarravitur fytyrën e shqiptarëve në marrëdhënie me të huaj, i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset për t’u kthyer në binarët, nuk mund ta mbajmë në kurriz, prandaj ky parlament duhet të ushtrojë vullnetin e 90% të shqiptarëve për ta shkarkuar nga detyrës, keqardhje për mikun tonë të dikurshëm, por Meta i sotëm nuk mund ta mbajë këtë status“, ka thënë Rama.

Deputetët po vazhdojnë përplasjet në seancën për shkarkimin e Metës, ku pritet të votohet raporti i një Komisioni Hetimor, të ngritur nga socialistët, i cili konstatoi se Meta ka shkelur Kushtetutën, duke anuar gjatë kohës së zgjedhjes.

Share.