Teksa inspektoi procesin e vaksinimit të stafit mjekësor të Kosovës, që po mbahet sot në Kukës, kryeministri tha se ky qytet mund të funksionojë si bazë e përbashkët mes dy vendeve.
“Jemi të gatshëm që të kontribuojmë. Duhet ta dini që kontratat me kompanitë e vaksinave janë strikte dhe nuk e lejojnë rieksportonim. Një kontratë që nënkupton ardhjen e një sasie nga një vend dhe nuk mund të përdoret për të nxjerrë pjesë të kësaj sasie në një vend tjetër. Ndaj nuk e nxorëm asnjëherë emrin e atij shtet miku, për të mos futur në sherr atë vend mik me kompaninë. Sekret nuk mund të bëhej dhe do të kishim penalitete të forta”.
“Kam thënë që: Hajdeni në Kukës, ku në fund të fundit është një vend i përbashkët. Përtej faktit se jemi dy shtete dhe kemi një kufi, është e natyrshme që Kukësi të funksionojë si pikë e përbashkët. U vonua pak pala tjetër, por më mirë kështu. Kjo ndodhi pas asaj hartës së leshit që nxori ai shoku në Beograd. Ai loz me kukulla në Facebook”, tha Rama.
500 mjekë të spitaleve Covid në Kosovë do të marrin dozën e parë të vaksinës sot në Kukës. Marrëveshja u finalizua dje dhe sot, vaksinimi ka nisur me 250 mjekët e parë që kanë marrë vaksinën, ndërsa nesër do të vaksinohet edhe pjesa tjetër. /TV Malisheva