Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka thënë se nuk ka asnjë provë për trafikim të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuza këto mbi të cilat është themeluar Gjykata Speciale. Krejt këtë Rama e ka quajtur baltë që i është hedhur një vendi të pavarur siç është Kosova.
Nga Brukseli, duke u përgjigjur në pyetjet e gazetarëve, kryeministri i Shqipërisë ka thënë se po kërkojnë që t’i tregojnë botës se “kjo ishte një maskaradë”.
Rama për akuzat ndaj UÇK-së: Kërkojmë t’i themi botës që ishte një maskaradë
“Çfarë ne kërkojmë është që t’i themi botës që kjo ishte një maskaradë dhe kjo maskaradë nëpërmjet një sasie të pallogaritshme balte hedhur ndaj të gjithë vendit, ndaj një shteti të pavarur siç është Kosova dhe të gjithë luftës çlirimtarë. Nuk është akuzë, janë fakte. Nuk ka asnjë provë, të kushedi sa hetimeve, që ka pasur ndonjë trafikim të organeve njerëzore të organizuar nga udhëheqja e UÇK-së që ka qenë në fakt viktimë një sulmi të organizuar në të gjithë botën. Tani askush nuk duhet të përpiqet ta pështjelloje në një mënyrë tjetër, nuk ka të bëjë fare me procesin që po ndodh, akuzat apo provat apo jo provat në Hagë, kjo ka të bëjë me një faqe turpi të Këshillit të Evropës dhe Këshilli i Evropës duhet të gjejë kurajën të dalë përballë të thotë na falni sepse nuk mundeni, institucionet kaq demokratike nuk mund të bëjnë një gjë të tillë në një vend ku gjëra të tmerrshme kanë ndodhur dhe ne i kemi përjetuar nën diktatin sovjetik apo në periudhën e ndikimit kulturor kinez që të mund të ndodhin sërish”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ka thënë se është e pamundur të akuzohet një kombi i tërë i cili u çlirua nga makineria e spastrimit etnik të Sllobodan Millosheviqit.
Rama: Kosova u çlirua nga makineria e spastrimit etnik të Millosheviqit, është e pamundur të akuzohet
“Është e pamundur të akuzosh një komb të tërë që u çlirua nga një përpjekje e madhe e koalicionit të shteteve demokratike dhe falë ushtrisë çlirimtare, përkundër një makinerie të spastrimit etnik të Millsheviqit dhe krejt papritur të hidhen kështu në thellësitë më të mëdha të mediave dhe të plehrave gazetareske. Nuk ka të bëjë thjesht me media, por ka të bëjë me raportin, raportin e tyre që kanë mbështetur gjithë Këshillin e Evropian dhe jo nuk duhet të ndodh më”, ka thënë Rama.
Kryeministri i Shqipërisë ditë më parë ka thënë se Shqipëria po përgatit një rezolutë drejtuar Këshillit të Evropës mbi “pabazueshmërinë totale të raportit të Dick Marty-t, si dhe influencën ruse mbi këtë përrallë të një shtëpie të verdhë dhe të trafikut të organeve”.
/TV Malisheva