Plani për ta bërë Shqipërinë të pavarur plotësisht nga pikëpamja e energjetike është gjithmonë e më realist, tha të premten kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ai tha se volumi i investimeve potenciale është gjigand, ndërsa investime të tjera po shkojnë paralelisht. Zoti Rama përmendi ndërtimin e HEC-it të Skavicës që është në proces, impiantet e prodhimit të energjisë me anë të erës si dhe futjen në prodhim e gazit të lëngshëm me projektin e parë të gazifikimit që po hartohet me partnerët nga Azerbajxhani.

Kryeministri Rama tha do ishin bërë shumë më tepër investime, por Shqipëria u përball me domosdoshmërinë për të mos lejuar rritjen e çmimit. Ai u shpreh se do duhet të rifillojë një tjetër fushatë për kursimin për shkak të turizmit që po rritet sidomos në vijën bregdetare.

Duke prezantuar Parkun Fotovoltaik “Blue 1” në Fier , Zv/ Kryeministrja dhe Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, tha se kapaciteti i instaluar i këtij impianti është 50 MW, investim vendas me vlerë 43 milionë euro.

Ai do pasohet nga projekti “Blue 2” me kapacitet 200 megavat dhe që hap pas hapi, jo vetëm do të plotësojë nevojat për energji për 30 mijë familje të zonës, por do të kontribuojë në planin strategjik të kthimit të Shqipërisë në një vend eksportues neto të energjisë elektrike, tha zonja Balluku.

Ministrja Belinda Balluku, tha se në fund të muajit qershor Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, do të hapë një ankand të ri për parqe fotovoltaike që tashmë do jetë ankandi hibrid. Shteti nuk e ofron më tokën, por ofron mundësinë e blerjes në një ankand të hapur me synim çmimin më të ulët.

Ministrja tha se në muajin qershor do të përfundojë ankandi i parë për ndërtimin e impianteve të energjisë së prodhuar nga era. Nga 16 kompani ndërkombëtare, në fazën e fundit janë përzgjedhur 4 dhe fituesi do të definohet nga një grup i përbashkët i krijuar nga BERZH dhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Zonja Balluku tha se sekretariati i energjisë në raportin e 2022 ka cilësuar Shqipërinë si vendi me progresin më të madh rajonal për sa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme dhe realizimit të tyre, duke e vendosur kështu Shqipërinë në një standard tjetër dhe duke e kthyer ne një shembull për vendet e tjera të rajonit.

Ndër të tjera Ministrja Balluku bëri të ditur disa ndryshime të ndërmarra në kuadrin ligjor lidhur me tokat bujqësore në të cilat mund të ndërtohen panele fotovoltaike të kësaj natyre.

Kryeministri Rama tha ndërkaq se nuk mundet në asnjë mënyrë që të lëshojmë terrene prodhuese bujqësore për të vendosur panele. Këtë mund ta bëjmë sipas disa kushteve të caktuara vetëm për impiantet agro-solare tha ai./TV Malisheva

Share.