Protestat që janë mbajtur përgjatë një jave për të kundërshtuar rritjen e çmimeve në tërësi për shkak të luftës Rusi – Ukrainë, kryeministri Rama thotë se mund t’i pëlqejnë Moskës.
Kreu i Qeverisë tha se një nga synimet e Rusisë është që në vendet evropiane të fillojnë protestat për shkak të çmimeve të larta.
“Këtu bëhet një protestë që mund t’i pëlqejë Rusisë sepse kjo është një nga pjesët e strategjisë së asaj lufte që njerëzit në vendet që e mbështesin Ukrainën të fillojnë të ngrihen në protesta dhe të harrojnë se çfarë luhet atje. Atje nuk luhet fati i Ukrainës, atje luhet fati i Europës, atje luhet fati i të gjithë popujve të Europës. Është një agresion ushtarak ndaj një vendi demokratik që nuk ka bërë vaki qysh kur në skenën e Europës doli dikush tjetër në Berlin dhe sulmoi dynjanë.
E si mund të jemi ne kaq pa moral, kaq pa logjikë, që ndërkohë që qeveria e kësaj republike ka muaj që po financon nga buxheti i vetë faturën e energjisë dhe sapo shfaqen shenjat dhe unë dal atje dhe them brenda javës do kemi paketë mbështetëse, dalin dhe thonë nuk duhet ta lëmë këtë herë të na shpëtojë.
Kjo është çështje e dinjitetit kombëtar. Këtu ka të bëjë me një kuturisje të turpshme që fyen kombin shqiptar dhe popullin shqiptar në dinjitetin e vetë sepse ne nuk jemi njerëz kaq të lidhur me zorrët ndërkohë që atje të tjerët po lënë jetën e po shkatërrohen totalisht”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.
/TV Malisheva