Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, shpalli fitoren e partisë së tij për zgjedhjet e mbajtura të dielën, ku Partia Socialiste mori shumicën dërrmuese të bashkive. Ai foli për fitoren në Shkodër dhe humbjen në Himarë, derisa nuk la pa kritikuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Bashkë me udhëheqësin e fushatës së tij elektorale, Endri Fuga, 24-orë pasi PS korri një tjetër rekord elektoral në zgjedhjet lokale të 14 majit, Rama tha se do të angazhohen si asnjëherë më parë për të qëndruar përballë sfidës së marrë nga besimi i madh i qytetarëve, shkruan KosovaPress.

Rama: Të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo

“Kjo është një fitore shumë e madhe për t’u festuar dhe unë vet ndihem shumë i vogël përballë hartës së mbushur me ngjyrat e fitores së kandidatëve tanë nga Tropoja në Konispol. Kam dhe besoj kemi të gjithë nevojë të ruhemi nga era e fortë dehëse e një fitoreje si kjo… Tanimë që shqiptarët i zgjodhën ata që dëshironin, ne do të vazhdojmë pa humbur kohë punët që u ngadalësuan nga fushata, jo vetëm në nivelin vendor, por edhe në nivelin e qeverisjes qendrore”, tha Rama.

Sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, kryeministri shqiptar fajësoi KQZ-në për vonesa.

Rama: Në zgjedhje pamë dështimin spektakolar të KQZ-së

“Zgjedhjet nuk kanë pasur asgjë të veçantë në asnjë aspekt, përveç dështimit spektakolar të KQZ-së, për të garantuar fillimin në kohë të votimit në mbi 500 qendra për mijëra e mijëra qytetarë që në orët e mëngjesit ishin vënë në radhë për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese… Vërtetë është i pafalshëm dhe i pajustifikueshëm. Ne nuk do ta lëmë me kaq, aq më tepër kur pamë skena të tmerrshme të atyre pajisjeve që hidheshin si arka bosh. Sepse asnjë arkë nuk mund të hidhet ashtu”, tha ai.

Ai paralajmëroi një tur falënderimesh në të gjithë Shqipërinë të cilin tha se do ta nisë nga Shkodra.

Rama: Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nisë

“Kam shumë takime për të bërë. Duke filluar nga Shkodra. Nesër duhet të nisem për Samitin e Liderëve të Këshillit të Evropës në Islandë dhe sapo të kthehem nga Samiti, do të nis me turin e falenderimeve nga Shkodra ku jam shumë i vendosur që të bëj një histori të re dhe jam i bindur që ne mund të bëjmë një histori të re në Shkodër… Ne tani duhet të bëjmë jo atë që kemi thënë, po do bëjmë edhe më shumë seç kemi thënë sepse Shkodra na dha jo një shans, po një besim shumë të fortë dhe unë jam i bindur që ky është një besim shumë i fortë që mund të kthehet në një kohë, jo shumë të gjatë në një mosbesim shumë të madh nëse ne nuk jemi në lartësinë e kësaj sfide… Kështu që, Shkodra është kryefjala e mandatit që sapo do të nisë pas disa muajsh. Padiskutim, kjo nuk i heq asgjë angazhimit tim për Durrësin. Durrësi është një potencial strategjik i jashtëzakonshëm për Shqipërinë e 2030-tës”, tha ai.

“Kështu që, kam dëgjuar shumë dhe praktikisht, kam preferuar të mos flas dhe nuk do flas deri në mbarimin e zgjedhjeve në Greqi, lidhur me këtë, duke shpresuar që pas zgjedhjeve në Greqi do ketë dialog dhe jo deklarata, të cilat i kam dëgjuar të bëhen, jo vetëm nga përfaqësues të qeverisë greke, por dhe nga parti politike të opozitës, parti simotra, si Siriza apo PASOK-u. Keqardhje e madhe sepse unë besoj që minoriteti grek nuk është mish për topat elektoral të askujt, as në Shqipëri, as në Greqi. Megjithatë, këtu ndalem në këtë pjesë… E drejta për t’u zgjedhur e për të zgjedhur në Shqipëri është e garantuar për të gjithë, por nuk ka dy drejtësi. Akuza e ngritur, nuk është ngritur nga qeveria…. Nëse unë vetë si kryeministër i vendit, nuk e bëj kurrë që të ngre pikëpyetje pa u shprehur drejtësia apo që t’i bëj presion drejtësisë, këtë nuk e lejoj dhe s’kam për ta lejuar ta bëjë askush tjetër. Kjo duhet të jetë shumë e qartë… Subjekti është subjekt i prokurorisë speciale dhe do të trajtohet nga gjykata speciale, kjo është e gjitha”, është shprehur Rama.

 /TV Malisheva

 

Share.