Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama replikoi sot me deputeten e PD-së, Jorida Tabaku gjatë seancës në Kuvend.

“Është sigurisht shumë e rëndësishme dhe dobishme që të flasim për jetën e përditshme të njerëzve. Dhe duke qenë se unë s’kam shkollë dhe ju jeni me shkollë unë nuk po hyj, se nuk hyj dot tek debati juaj me ministren e Financave për stagflacionin, por po i marr me radhë disa nga gjërat që thatë ju”, tha Rama.

“Dhe duke qenë se ju flisni me shifra unë do isha shumë mirënjohës nëse do të më orientonit dhe të na orientonit, ku i keni gjetur shifrat e INSTAT-it se unë i kam përpara. Dhe sipas INSTAT-it, inflacioni në Shqipëri është rritur 6.2%, në Serbi 9.6%, në Maqedoninë e Veriut 10.5%, në Kosovë 11.2%, në Mal të Zi 11.2%, në Bosnjë-Hercegovinë 13.2%. Ky është prilli”, theksoi Rama.

“Maji në Shqipëri 6.7%. Pra në Shqipëri nga 6.2% ka shkuar në 6.7%. Në Maqedoninë e Veriut jemi në 11.9% nga 10.5 që ishim në prill. Të tjerat e publikojnë në ditët në vijim të qershorit, kështu që nuk kam të tjera të dhëna”, u shpreh Rama.

“A ka vallë ndonjë arsye pse Shqipëria të jetë thuajse sa gjysma e rajonit, e të gjithë vendeve të rajonit kur vjen puna tek rritja e inflacionit? Me siguri ka arsye”, nënvizoi Rama./ATSH

Share.