Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në një intervistë për BBC, ka dhënë arsyet që Shqipëria vullnetarisht po pranon afganë, duke thënë se nuk është kohë që shtetet ta fajësojnë njëra tjetrën për tërheqjen në Afganistan, por që t’iu gjendemi krah sot dhe jo përgjatë shumë viteve.
Rama ka thënë se shqiptarët ishin afganët disa dekada më parë, kur u larguam nga Shqipëria, nën një diktaturë brutale dhe trokitëm në dyert e të tjerëve dhe u mirëpritëm.
“Mos harroni një gjë se në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat. Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix. Për ne, luftërat kanë qenë këtu dhe kemi parë luftëra. Kemi parë tmerret e luftës dhe na është dashur të ofrojmë strehë në Shqipëri jo shumë kohë më parë. Asokohe, unë isha ministër i Kulturës, kur strehuam rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova, të cilët po i iknin spastrimit etnik. Mbijetuam, ja ku jemi. Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht”, ka thënë Rama./TV Malisheva
Intervista e plotë e Ramës.
BBC: Një vend i vogël evropian, që nuk është në BE, por është anëtar i NATO-s, ka rënë dakord t’u ofrojë strehim afganëve që do të shkojnë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Grupi i parë pritet të mbërrijë këto ditë dhe në vijim mund të strehohen deri në 3 000 prej tyre. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, na tregoi se pse vendi i juaj ishte ofruar t’i pranonte.
KM: Sepse kjo është ajo çka ne jemi. Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas Luftës sesa përpara saj dhe arsyeja ishte se në Shqipëri ne kishim një kod nderi, që thotë se nuk ka turp më të madh në jetë se të dorëzosh mikun. Kështu, hebrenjve këtu iu dha strehë dhe është një nga faqet më të bukura të historisë sonë. Së dyti, ne ishim afganët disa dekada më parë, kur u larguam nga Shqipëria, kështjella e Koresë së Veriut të Evropës, nën një diktaturë brutale dhe trokitëm në dyert e të tjerëve dhe u mirëpritëm. Sigurisht, me shumë vështirësi, por, në thelb, u mirëpritëm. Së treti, sepse mendoj që duhet ta bëjmë edhe për fëmijët tanë. Fëmijët tanë duhet të kuptojnë se kjo është bota ku jetojmë. Ne mund të mos jemi të pasur, po nuk mund t’ia lejojmë vetes ta kemi kujtesën të shkurtër.
BBC: Siç po thoni, ju nuk jeni vend i pasur. Mund t’ju duhet t’i strehoni këta njerëz për një farë kohe. A do të jetë barrë e madhe për Shqipërinë në aspektin praktik?
KM: Mos harroni një gjë se në Evropën Perëndimore njerëzit i kanë harruar luftërat. Luftërat për ta janë thjesht dokumentare në Netflix. Për ne, luftërat kanë qenë këtu dhe kemi parë luftëra. Kemi parë tmerret e luftës dhe na është dashur të ofrojmë strehë në Shqipëri jo shumë kohë më parë. Asokohe, unë isha ministër i Kulturës, kur strehuam rreth gjysmë milioni refugjatë nga Kosova, të cilët po i iknin spastrimit etnik. Mbijetuam, ja ku jemi. Nuk jemi vend i pasur, por ja ku jemi sërish, kështu që financiarisht, moralisht e në gjithçka nuk mendoj se u dëmtuam. Mendoj që ajo përvojë na pasuroi më shumë moralisht.
BBC: Sot, është zhvilluar një debat mjaft i fortë në parlament, këtu në Uestminister, rreth pozicionit të Mbretërisë së Bashkuar, asaj çka duhet të ndodhë dhe pse vendet e tjera nuk ia dolën të parashikonin sa shpejt do ta merrnin kontrollin talebanët dhe janë ngritur pikëpyetje lidhur edhe me vetë NATO-n, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën të vepronin të vetme në thelb dhe vende të tjera, si Mbretëria e Bashkuar, që kishin trupa atje, ndjenë se nuk patën zgjedhje tjetër përveçse të tërhiqeshin edhe ata. A mendoni se kjo e ka vënë në një farë mënyre në pikëpyetje qëllimin e NATO-s?
KM: Më duket sinqerisht paarsyeshme që fajësimi i ShBA-së po përdoret për t’iu kthyer kurrizin afganëve që kanë nevojë për ne tani. Së pari, të shpëtojmë njerëzit e më pas të debatojmë si të duam për NATO-n, për pushtimin, për mospushtimin e kështu me radhë. Sigurisht që tërheqja ishte vendim i njëanshëm i ShBA-së, por jemi të gjithë bashkë pjesë e kësaj.
BBC: Po a nuk është e drejtë që disa prej nesh të pyesin a jemi pjesë të gjithë bashkë, nëse Amerika tërhiqet në mënyrë të njëanshme?
KM: Po, është e vërtetë, keni të drejtë, por, tani, kjo nuk është arsye për t’iu kthyer kurrizin këtyre njerëzve, e kam fjalën, njerëzve që kanë nevojë për strehë. Unë e kam diskutuar këtë në samitin e NATO-s dhe jam shprehur se e di për çfarë flas, pasi ne kemi jetuar në një regjim që ishte si ai i talebanëve. Na duhet të mendojmë për të nesërmen e njerëzve që kanë punuar për ne, pasi ata do të etiketohen si tradhtarë e do të trajtohen si tradhtarë dhe trajtimi i tyre si tradhtarë në atë regjim nënkupton vdekjen.
BBC: Atëherë, edhe një mendim të fundit fare për refugjatët. Mbretëria e Bashkuar ka deklaruar sot se do të pranojë 20 000 persona brenda disa vjetëve, duke filluar me 5 000, por do të ketë disa vende evropiane, të cilat mund të vendosin se nuk janë të gatshëm të pranojnë refugjatë. Ju dhatë argumentin moral se pse vendi juaj vendosi të bënte atë që bëri. Çfarë mesazhi do të kishit për aleatët evropianë që janë skeptikë, që janë të pasigurt lidhur me pranimin e refugjatëve nga Afganistani.
KM: Nuk e di. Nuk e di çfarë do të thotë 20 000 veta brenda shumë viteve, pasi ne duhet t’u gjendemi atyre që kanë punuar me ne dhe janë mijëra e mijëra, e mijëra, e mijëra të cilëve duhet t’u gjendemi krah sot, jo përgjatë shumë viteve, por ato mund të mbyllen, mund të bëjnë ç’të duan.
BBC: Ky ishte Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.