Lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus se ky shtet është në përkrahje të Ballkanit të Hapur, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se nëse kjo do të ishte e vërtetë Sergei Lavrov do të ishte sot në samitin e Ohrit.
Rama theksoi pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian duke thënë se këta të fundit janë përkrahës të kësaj nisme.
Sipas tij, “fabulën” se Rusia e mbështet këtë nismë e besojnë vetëm “peshqit e Ballkanit të Mbyllur”.
Rama: Lavrov, një “peshkaqen” i nivelit të lartë
“Sa për ministrin e Jashtëm rus, bëhet fjalë për një peshkaqen të nivelit shumë të lartë në oqeanin e diplomacisë botërore, i cili është i mirënjohur për sarkazmat tij dhe shumë peshq kanë rënë në atë rrjedhën e trikave të tij, sepse nëse ai do të ishte mbështetësi i Ballkanit të Hapur do të ishte këtu. Si mund të jetë ai mbështes i Ballkanit të Hapur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian nuk e duan Ballkanin e Hapur, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë këtu sot ai nuk është. Tani këtë lloj fabule ose këtë lloj narrative ose këtë lloj ushqimi e hanë vetëm peshqit e Ballkanit të mbyllur. Peshqve të Ballkanit të mbyllur nuk kemi çka t’u bëjmë, i kemi në ujërat tona, edhe ne lloje peshqish jemi po të rrimë të kjo fauna e detit, por Ballkani i Hapur është për njerëzit, për të gjithë njerëzit dhe kaq”, tha Rama.
Lidhur me këtë u përgjigj edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili tha se ideja për “Ballkanin e Hapur” nuk ka qenë jashtë rajonit, por e tri vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.
Vuçiq: Ideja e “Ballkanit të Hapur” është e rajonit
“Isha prezentë kur ne të tre, Edi, Zorani dhe unë filluam “Ballkanin e Hapur”, s’ka qenë asnjë ministër i jashtëm dhe askush tjetër. Unë nuk kam turp për politikën që bënë Serbia dhe nuk turpërohem për marrëdhëniet tradicionale që i kemi me Federatën Ruse, por askush tjetër përveç neve nuk kishte dhënë ide për “Ballkanin e Hapur”. Kjo është ide e njerëzve që dëshirojnë të bashkëpunojnë”, tha ai.
/TV Malisheva