Gjatë ditës së sotme në media u raportua se brenda ambienteve të Federatës së Futbollit të Kosovës ka ndodhur një përplasje fizike ku thuhet se kryetari Agim Ademi e ka sulmuar drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.

Ademi përmes një statusi në “Facebook” ka thënë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe se kjo është krejtësisht e pa vërtetë. Ai madje i ka quajtur inskenime këto raportime dhe po bëhen me qëllim për ta shantazhuar atë në prag të mbajtjes së zgjedhjeve në këtë institucion sportiv, përcjellë KosovaPress.

I pari i FFK-së më tutje në këtë shkrim ka bërë të ditur se i ka 44 nënshkrime në favorit të tij për ditën kur mbahet kuvendi zgjedhor, pra më 6 prill./TV Malisheva

Postimi i plotë i Agim Ademit:

Sot mediat raportuan me nguti dhe me tituj bombastik për kinse një ekses në FFK. Aty raportohet se, unë, si president i FFK-së, kinse e paskam sulmuar fizikisht drejtorin për marrëdhënie me jashtë, Artan Govorin.

Por, kjo është një tjetër e pavërtetë dhe një tjetër inskenim i atyre që po bëjnë në vazhdimësi shantazhe e gjëra të tilla me qëllim të dëmtimit të imazhit tim dhe njëkohësisht të Federatës, por edhe të procesit zgjedhor në FFK.

Nuk është aspak e vërtetë ajo që po aludohet për ekses dhe për asnjë prekje fizike, thjesht ishte një debat për punët e përditshme në federatë. Për këtë ka dëshmitarë brenda federatës.

Të gjitha palët që dëshirojnë të përfitojnë nga inskenimet e tilla, ua bëj me dije se vullneti i 44 delegatëve të Kuvendit të FFK-së nuk mund të ndryshojë me presione e shantazhe dhe as me shpifje të tilla nga njerëz e grupe të interesit.

Unë do të vazhdoj punën time me ndershmëri dhe nuk do të lejoj të bie pre e shantazhuesve që për qëllim kanë kapjen e FFK-së.

https://malisheva.tv/skandal-agim-ademi-e-sulmon-fizikisht-zyrtarin-e-ffk-se-pasi-po-i-dridhet-pushteti/

Share.