Rasti tragjik në Tetovë, Grubi: E kemi prioritet menaxhimin e situatës, pas mbylljes së hetimit do të shohim kush do të bartë përgjegjësinë

Pas mbledhjes në Qendrën e shëndetit Publik në Tetovë, zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi ka thënë se qeveria i ka kërkuar prokurorisë hetim të thellë e të shpejtë lidhur me rastin tragjik ku zjarri përfshiu spitalin Covid në Tetovë.

Grubi ka thënë se janë të përkushtuar të menaxhojnë këtë situatë dhe vetëm pas mbylljes së hetimeve do të flitet për atë se kush do të bartë përgjegjësinë e kësaj tragjedie.

Grubi: Përgjegjësi vetëm pas mbylljes së hetimeve

“Vet drejtori i ka dhënë sqarimet e duhura rreth vërejtjeve të tij për qendrën modulare të spitalit të Tetovës dhe bëhet fjalë për çështje teknike, siç e tha edhe vet drejtori ashtu e konfirmoi edhe ministri i Shëndetësisë për vërejtjet në muajin prill dhe Ministria e Shëndetësisë tashmë ka dalë me komunikatë zyrtare dhe me qëndrim bashkë me qeverinë që qendra modulare ka qenë e ndërtuar me të gjitha standardet e nevojitura. Ne jemi të zgjedhur për t’i menaxhuar situatat e pastaj pas përmbylljes së hetimit me ndihmën ndërkombëtare, do të shohim kush do të bartë përgjegjësi dhe në çfarë forme, tash kemi për detyrë ta menaxhojë situatën, t’i mbajmë të mbijetuarit në gjendje të mirë, të mbijetojnë, të kujdesemi për familjet, të kujdesemi për pacientë të tjerë sepse me Covid vinë çdo ditë pacientë të ri dhe do të duhet që resurset spitalore, resurset mjekësore të vihen në shërbim”, ka thënë Grubi.

Grubi: Në komunikim me prokurorinë insistuam që hetimi të jetë i thellë dhe të përmbyllet shpejtë

Në hetimin e këtij rasti do të përfshihen edhe ndërkombëtarët, që sipas Grubit, do të arrijnë brenda dy-tre ditësh.

“U vendos që të gjitha kapacitetet institucionale të vihen në shërbim të menaxhimit të kësaj tragjedie kaq të rëndë për Tetovën dhe të gjithë ne, por njëkohësisht si qeveri pranuam shumë telefonata dhe oferta për ndihmë nga vendet mike, edhe ato të rajonit por edhe të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke përfshirë këtu Gjermaninë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO si institucion dhe vendosëm bashkërisht që t’i drejtohemi këtyre vendeve dhe anëtarët e NATO-s dhe Bashkimit Evropian që të na sjellin ekspert në ndihmesë për të hetuar rreth shkaqeve që shkaktuan këtë tragjedi kaq të rëndë dhe të zbardhet ky rast sa më shpejtë. Insistuam edhe në komunikim me prokurorin e përgjithshëm dhe të gjithë prokurorët e rastit që ky hetim të përmbyllet sa më shpejtë por të bëhet sa më i thukët dhe sa më i thellë që është e mundur në mënyrë që mos të lihet asnjë grimcë e pa zbuluar rreth kësaj tragjedie”, ka thënë Grubi.

Ndërsa drejtori i Qendrës Klinike në Tetovë, Florin Besimi ka thënë objekti ka pasur sistem për fikjen e zjarrit dhe se ka komisione teknike që mirëmbajnë bombolat.

Duke theksuar se spitalet modular janë të ndërtuara nga Ministria e Shëndetësisë, Besimi ka thënë se pyetjet rreth gjendjes së objekteve apo pretendimet për probleme, duhet të drejtohen në Ministrinë e Shëndetësisë.

Besimi: Nuk ka pasur ndërprerje të kujdesit ndaj pacientëve me Covid-19, trajtimi do të vazhdoj

“Pacientët të cilët evakuohen ose që arritëm t’i shpëtojmë janë të gjithë në gjendje stabile dhe vazhdojnë të trajtohen në spitalin klinik të Tetovës. Stafi i spitalit klinik bashkë me gjithë ekipet që janë këtu vazhdon të kujdeset për qytetarët, të japin shërbime shëndetësore, në mesin e tyre edhe 70 pacientë që janë Covid pozitiv të cilët në asnjë moment nuk ka ardh deri të ndërprerja e kujdesit ndaj tyre, ata në vazhdimësi kanë marrë tretmanë dhe terapia vazhdon”, ka thënë ai.

E kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi ka bërë të ditur se personeli mjekësor ndodhet në gjendje stabile dhe vetëm me lëndime të lehta.

Arifi: Personeli mjekësor që ka qenë në detyrë mbrëmë ka pësuar vetëm lëndime të vogla

“Nga informacionet që mu dhanë tani nuk ka personel mjekësor, personeli mjekësor që ka qenë në detyrë ka pasur ndonjë lëndim të vogël të lehtë por asnjëri nga ata nuk është në hospitalizim. Të 12 rastet siç u informova janë persona të cilët kanë qenë të shtrirë në spital dhe që tani janë në repartin tjetër për tu shëruar edhe për të vazhduar shërimin e tyre”, ka thënë Arifi.

Mbrëmjen e së mërkurës spitali modular i Tetovës ku po trajtoheshin pacientët për Covid-19, u përfshi nga zjarri ku nga kjo ngjarje tragjike mbetën të vdekur dhjetëra persona dhe të tjerë u lënduan.

Autoritet janë duke punuar në identifikimin e viktimave ndërsa Tetova ka shpallur tre ditë zie për viktimat e këtij rasti tragjik. /TV Malisheva

Share.