“Nuk e kuptoj për çfarë e kanë këtë reagim sa herë që në Tiranë flitet për antifashizmin”. Kështu ka thënë kryetari i komunës së Tiranës Erion Veliaj në një reagim rreth krejt asaj që u fol dje e sot për të në Kosovë rreth një vendimi që thuhet se mori për rrugën që mbanë emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Madje Veliaj thotë se dje ka pasur një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën, djalin e Presidentit Ibrahim Rugova.
“I kam shpjeguar situatën dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës:, thotë ai.
Ky reagim i Velijajt, vjen pas krejt reagime tjera që i shkuan nga Kosova pasi u dha lajmi se një segment i një rruge në Tiranë është emëruar “Dëshmorët e 4 shkurtit”, siç raportoi “Top Channel”, 79 vite pas kësaj masakre. Por krejt kjo, po përcillet me reagime, pasi që duket se është “copëtuar” rruga që mban emrin e ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Sipas raportimit të mediumit shqiptar, kryetari i Tiranës, Erion Veliaj, të shtunën ka pritur në takim zyrtarë të organizatave kombëtare të Veteranëve e familjarë të dëshmorëve, ku edhe është bërë emërimi i rrugës.
Segmenti që do të mbajë këtë emër, duket se është nga rruga nga Banka e Shqipërisë, e deri te lumi Lanës.
Ndaj krejt kësaj situate, ka reaguar Jorida Tabaku, deputete e qarkut të Tiranës në Parlamentin e Shqipërisë, e cila po thotë se është hequr emri i “Ibrahim Rugovës” për “4 shkurtin”.
“Në 17 shkurt 2012 Tirana inaguroi rrugën Ibrahim Rugova në aksin Banka e Shqipërisë deri në hyrje të Liqenit Artificial. Qe nder dhe privilegj për Tiranën dhe tiransit që një figurë e çmuar dhe me rëndësi për kombin tonë të kishte atë emër në atë vend. Vendimi u mor pas një kërkese që familja e Ibrahim Rugovës na drejtoi ne si bashki dhe Këshilli Bashkiak e nderoi qytetin e Tiranës me një patriot, arkitektin e Kosovës së Lirë.” – ka thënë ajo.
Sqarimi i plotë i Erion Veliajt:
Unë kam dy mandate si kryetar i Bashkisë së Tiranës, por Partinë Demokratike, si atë të ‘vulës’, si ‘foltoren’, nuk e kam parë në asnjë ceremoni për 17 Nëntorin, kur ne përkujtojmë ditën e çlirimit të Tiranës. Tirana është i vetmi Kryeqytet në Europë i çliruar pa praninë e trupave sovjetike në territorin e saj, por u çlirua nga djemtë e vajzat e ardhura nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe trevat shqiptare. Më duket fyese që ata nuk e kujtojnë fare për Ditën e Çlirimit të Tiranës. Imagjinoni sikur konservatorët apo laburistët në Angli të mos kujtojnë bombardimin e Londrës nga nazistët; imagjinoni demokratët ose republikanët në SHBA të mos kujtojnë ‘Pearl Harbour’. Pra, në çdo vend të botës, data të tilla janë të rëndësishme dhe nuk ndahen me ideologji.
Tani le të sqarojmë faktet: Ne mund të kemi opinione të ndryshme, por nuk mund të kemi fakte të ndryshme. Rruga ‘Ibrahim Rugova’ jo vetëm që nuk është shkurtuar, por është zgjatur dhe po ua shpjegoj pse. Ajo fillon tek Ura e Lanës, vazhdon te Presidenca, pastaj te sheshi ‘Shopen’, por nuk përfundon aty, sepse me hapjen e ish-Gardës së Republikës, vijon matanë saj, duke u zgjatur edhe me 300 metra të tjera. Pjesa tjetër e rrugës, segmenti nga ‘Shallvaret’ te ‘Banka e Shqipërisë’ quhej rruga ‘4 Shkurti’. Ka 7-8 vjet që quhet kështu. Organizatat e Veteranëve na kërkuan saktësimin e emërtimit të saj në ‘Dëshmorët e 4 Shkurtit’.
Dje kam pasur një bisedë të gjatë dhe jashtëzakonisht miqësore me Ukë Rugovën, djalin e Presidentit të nderuar, Ibrahim Rugova. I kam shpjeguar situaten dhe ai ishte jashtëzakonisht mirëkuptues. Unë jam mik me atë familje. Në zyrën time, familja Rugova mori nënshtetësinë shqiptare. Ishte një nder i madh për mua! Znj. Rugova vinte për herë të parë në Shqipëri, kështu që, unë kam detyrimin t’ia shpjegoja familjes Rugova dhe ata, jo vetëm janë të qarte, por edhe dashamirës, madje së bashku po planifikojmë vendosjen e një shtatoreje të Ibrahim Rugovës në një nga sheshet e rrugës që tani është zgjatur. Pra, kalon edhe ish-Gardën e Republikës dhe del te Diga e Liqenit Artificial sepse është vazhdim i asaj rruge, mes për mes ish-Gardës. Do të jetë një pedonale shumë e bukur dhe ndoshta aty është edhe vendi ideal për një shtatore të Ibrahim Rugovës.
Këto janë faktet! A ka politikanë në Shqipëri e Kosovë, të cilët nga kolltuku i tyre duan të fusin frymën e përçarjes? Patjetër që ka! Por, dua t’ju kujtoj diçka: Në Tiranë kemi edhe një emërtim tjetër, aty rruga ‘Ibrahim Rugova’ do të takohet me rrugën ‘Kristo Luarasi’, tek Diga e Liqenit, aty ndodhet rruga e ‘Kosovarëve’. Unë dhe administrata jonë ndërtuam shkollën ‘Kosova’, e cila u dogj gjatë kohës që PD-ja bënte gati lejen e pallatit – zonja Tabaku, z. Basha, Petrit Vasili ishte nënkryetar bashkie asokohe, së bashku me Monikën dhe Ilirin në koalicion, u bënë bashkë për të dhënë pallat në territorin e shkollës ‘Kosova’. Sot ajo është ngritur më e fortë, më e bukur, më e madhe se ç’ka qenë kur kam qenë unë fëmijë dhe shkoja në atë shkollë.
Ju kujtoj sheshin ‘Adem Jashari’, i cili dikur ka qenë një rrethrrotullim makinash, siç ka qenë në fakt edhe sheshi ‘Skënderbej’. Sot sheshi ‘Adem Jashari’ është me shatërvanë, ka një veshje me pllaka mermeri, janë mbjellë pemë, është vërtet një vend ideal për homazhe.
Ju kujtoj se Tirana ka një park me emrin ‘Nexhmije Pagarusha’, ndodhet te Parku i Liqenit. Për të gjithë ata që kritikojnë pemët, qofshin në Kosovë, këtej apo andej kufirit, le të vijnë të mbjellin një pemë aty. Ndoshta është mënyrë më e mirë se sa të bëjnë analistin nga kolltuku dhe të mbjellin përçarje mes nesh.
Ju kujtoj se, ndërkohë që jam kryetar i Bashkisë, kemi dhënë vetëm një titull “Qytetar Nderi” në Tiranë dhe ky titull i është dhënë z. Adem Demaçi, përpara se të ndërronte jetë, dhe jam i lumtur që ishte akti i fundit publik këtu. Faktet janë të panumërta, edhe për dinjitetin, prestigjin dhe respektin që i kemi dhënë Presidentit të madh Rugova. Më vjen mirë që familja e tij është mbështetëse e kësaj pune të përbashkët përkujtimore që po bëjmë në Tiranë.
Më vjen keq që Bashkia e Tiranës sulmohet nga ata njerëz që, teksa ishin këtu, shkollën “Kosova” donin ta bënin pallat, teksa ishin në qeveri furnizonin me naftë Millosheviçin, madje për ta UÇK-ja ishte një organizatë terroriste dhe teksa ishin gjallë këta drejtues, Sali Berisha s’ju fliste me gojë – njësoj si me modelin e Azem Hajdarit.
Por unë besoj se ky nuk është problemi real. Problemi real që kemi në Shqipëri dhe në Kosovë ka të bëjë me disa njerëz që kanë ende simpati për fashizmin. Në qoftë se Ibrahim Rugova do të ishte gjallë, si antifashisti më i madh ndaj fashizmit të Millosheviçit, do ta kishte nder që të ishte në një segment, që ndahet nga një lumë, me emërtimin e një lëvizje antifashiste, siç ishte Lëvizja Antifashiste në Shqipëri. Ndaj, këtu problemi nuk është rruga! Kush do ta dijë të vërtetën, e zbulon të vërtetën. Kush jeton në Tiranë, i di si janë të vërtetat. Problemi që kemi andej dhe këtej kufirit, është se kemi politikanë që mezi presin vetëm të gjejnë gjahun e ditës, tamam si ajo hiena që kap prenë e vet ta shqyejë, dhe të shqyejnë kombin tonë. Detyra jonë si njerëz seriozë është që të mos përçahemi, as nga këta politikanë, as nga analistët, që janë në borderotë e këtyre politikanëve si andej, edhe këtej kufirit.
Në këtë vend vërtet nuk jep njeri informacion, por asnjeri nuk mban sekrete. Unë e di ekzaktësisht kush punon për kë interes të grupeve të huaja, apo të politikanëve që synojnë përçarjen. Ndaj, edhe u bëj thirrje vëllezërve dhe motrave në Kosovë, mos u përçani nga këta njerëz, shikoni faktet – opinionet i kemi të ndryshme, por faktet nuk mund t’i kemi të ndryshme. Ju përmenda një listë faktesh dhe nuk pranoj komente as nga Sali Berisha, as nga Luli me Joridën dhe sidomos nga LSI-ja, që në 2012-ën e ka konsideruar një akt të tradhtisë së luftës dhe të partizanëve riemërtimin e rrugës, kurse sot papritur janë gati të deklarohen fashistë. S’ka asnjë problem, se një parti që nisi si lëvizje socialiste, sot është një ‘freedom party’, pra ka kaluar komplet në ekstremin e djathtë, nga këta “protofashistë” Shqipëria dhe Kosova gjithmonë kanë pasur probleme.
E ardhmja nuk i përket as fashizmit, as nazizmit, i përket solidaritetit, i përket vëllazërisë. Sa të kem frymë dhe sa të jem në këtë detyrë, do të punoj që Kosova të nderohet dhe të respektohet, siç e kemi bërë në gjithë këto shembuj. Do të sigurohem që do të vazhdojmë ta ushqejmë këtë vëllazëri, ndërkohë që e pranoj që, siç ka ndodhur përpara 79 vitesh, ashtu vazhdon ndodh edhe sot, që një pjesë e jona i gëzohet përçarjes, investohet në ndasi, por nuk kanë të ardhme. E ardhmja i përket bashkimit dhe solidaritetit mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe njerëzve të nderuar që marrin emërtimet hapësirat publike në Tiranë, Prishtinë dhe kudo tjetër.
/TV Malisheva