Drejtori i Real Madridit për marrëdhënie institucionale, Emiliano Butragueno, është shprehur i zemëruar me mënyrën sesi është përdorur VAR-i (video asistenti i referimit) në barazimin e Los Blancos 0:0 me Real Betisin të shtunën.

Prekja e topit me dorë në zonë nga Zou Feddal ka ngjallur polemika të shumta në Spanjë, por VAR-i nuk akordoi penallti për skuadrën e Zinedine Zidane, transmeton Gazeta Express.

Feddala e bllokoi me dorë topin e harkuar nga Karim Benzema kah fundi i ndeshjes, por VAR-i gjykoi se nuk ishte prekje për penallti.

“Ne jemi të hutuar me vendimin që u mor (nga VAR)”, tha Butragueno pas ndeshjes.

“U pa qartë se ai e ndali topin me dorë por nuk u mor vendim (për penallti). Nuk e di përse VAR-i nganjëherë shkon në një drejtim, e nganjëherë në një tjetër”, shtoi ai.

“Me VAR duhej të zgjidheshin qartë këto situata, por duket se nuk është ashtu. Mendoja se do të na jepej penallti, por nuk u dha”, theksoi ai.

Share.