Real Madridi po synon transferimin e sulmuesve Erling Haaland e Kylian Mbappe, pasi presidenti Florentino Perez ka në plan të krijojë një epokë të tretë të “galaktikëve” në stadiumin “Santiago Bernabeu”, ka shkruar “Marca” të martën.

Ekipi madrilen tashmë e ka bërë objektiv transferimin si të Haalandit, që është pjesë e Borussia Dortmundit, ashtu edhe të Mbappes, që luan te Paris Saint-Germaini. Presidenti Perez e ka parasysh se duhet të shpenzojë shumë para për këtë dyshe, që sipas tij konsiderohet si më e rrezikshmja në botë.

Në fakt, Perez i sheh Haalandin e Mbappen si anëtarë të epokës së tretë të “galaktikëve” në Real dhe tashmë ka nisur bisedimet si me Dortmundin ashtu edhe PSG-n. Vala e parë e “galaktikëve” te Reali, përfshin transferimin e brazilianit Ronaldo, pastaj Zinedine Zidanet, David Beckhamit e Luis Figos.

Ndërsa, epoka e dytë “galaktike” është me lojtarët si Cristiano Ronaldo, Leite Kaka, Luka Modriq, Gareth Bale, Angel Di Maria e të tjerë. Tash Reali po përgatitet për epokën e tretë, të cilën e ka aprovuar edhe trajneri Zidane.“Mbappe dhe Haaland pëlqehen shumë në klub dhe presidenti Perez është i vendosur për të bërë të pamundur transferimin e tyre. Ata shihen si anëtarë të epokës së tretë të ‘galaktikëve’ në klub”, ka shkruar gazeta spanjolle.

Mbappe 21-vjeçar, këtë edicion ka shënuar 30 gola dhe ka asistuar 17 herë në 33 ndeshje me ekipin francez në të gjitha garat, me të cilin ka kontratë deri në vitin 2022. Ndërkohë, Haaland 19-vjeçar, që në fillim të këtij viti iu bashkua Dortmundit nga Red Bull Salzburgu ka realizuar në total 40 gola dhe ka kontratë me ekipin gjerman deri në vitin 2024.

Trajneri i Realit, Zidane tashmë ka disa prej talenteve më të mira në botë në dispozicionin e tij, por ai synon ta ndërtojë edhe një ekip më të fortë për të dominuar për një kohë të gjatë në futbollin botëror. Brazilianët Vinicius Junior e Rodrygo kanë shkëlqyer këtë edicion në sulm derisa në mesfushë është veçuar Federico Valverde.

Gjithashtu, Reali pritet t’i rikthejë edhe të huazuarit, si Brahim Diaz e Martin Odegaard. Epoka e tretë “galaktike” te Reali gjithashtu do të përkonte edhe me përfundimin e rinovimit të stadiumit “Santiago Bernabeu”, një projekt që kushton mbi 500 milionë euro dhe pritet të përfundojë në vitin 2022.“Galaktikët” origjinalë të Real Madridit u shfaqën në kohën kur pjesë e ekipit ishin lojtarët si Ronaldo, Zidane, Beckham, Figo, Raul, Roberto Carlos e Iker Casillas. Por, ky ekip u shpërnda në vitin 2006, kur Perezin në postin e presidentit e zëvendësoi Ramon Calderoni.

Tre vjet më vonë, Perez u rikthye sërish në klub dhe shpenzoi për epokën e dytë të “galaktikëve”, siç ishin Kaka, Cristiano Ronaldo, Xabi Alonso, Angel Di Maria që u përcollën edhe me Modriqin, Balen, Toni Kroosin e James Rodriguezin. Në fakt, këto shpenzime edhe sollën një dominim të ri të Real Madridit në Ligën e Kampionëve.

Madrilenët pas 12 vjetësh triumfuan në Champions, duke e fituar këtë trofe katër herë që nga viti 2013 deri në vitin 2018.“Perez është i vendosur për të bërë shpenzime të mëdha, pasi dëshiron ta pushtojë botën e futbollit me ekipin e tij të talentuar”, ka vazhduar “Marca”.Transferimi i Mbappet e Haalandit te Reali do të thoshte se koha e francezit Karim Benzema, që është në klub prej vitit 2009, tashmë ka filluar të perëndojë./ Tv Malisheva

Share.