Këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Remzie Osmani, ka bërë një reagim së fundmi rreth disa lajmeve që kanë qarkulluar në disa portale ku thuhet se do të këndojë në dasma për nëntë mijë euro.

Ajo bëri një shkrim në rrjetin social, Facebook, përmes të cilit deklaron se këto janë shpifje.

Tutje, Osmani thotë se ka angazhuar edhe avokatë që do të merren me çështjen e po ashtu edhe për çdo shpifje tjetër që bëhet nga portalet.

Ky është postimi i plotë i Osmanit (pa ndërhyrje):

“Reagim ndaj shpifjeve që janë bërë ndaj meje nga disa portale!

Në ditet e fundit, disa portale online kanë publikuar lajme të pavërteta, se kinse unë paskam thënë se këtë vit do të këndoj në dasma vetëm për shumën 9 mijë euro. Me përgjegjësi dhe sinqeritet të plotë ju them se publikimet e tilla janë plotësisht të pavërteta dhe nuk qëndrojnë. Këto publikime bëhen për klikime dhe përfitime pasurore të këtyre portaleve, si dhe me qëllim të dëmtimit të imazhit dhe reputacionit tim që kam krijuar për shumë vite si këngëtare.

Publiku i cili ka qenë besnik në rrugëtimin tim dhe më ka mbështetur që tre dekada, është i vetëdijshëm se këto lajme janë të pavërteta, sepse sinqeriteti dhe integriteti profesional e personal janë vlera qe më kanë përcjellë në vazhdimësi.

I falënderoj mediat dhe portalet e mirëfillta që nuk kanë rënë pre e këtyre dezinformatave dhe lajmeve të rreme të publikuara nga disa portale apo faqe në mediat sociale, të cilat janë të krijuara vetëm për publikimin dhe shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Me qëllim që këto shpifje të ndalen, unë kam angazhuar zyrën e avokatëve “Hodaj & Partners” nga Prishtina, të cilët tani e tutje do të paraqesin pranë gjykatave dhe organeve kompetente çdo portal apo subjekt tjetër i cili publikon lajme të pavërteta për mua”. /TV Malisheva

Share.