Sukseset e fundit të ekipeve kombëtare të Kosovës në hendboll (meshkujt), kanë bërë që Federata e Hendbollit të Kosovës të mbajë pozitë të mirë në ranglistën e Federatës Ndërkombëtare të Hendbollit (IHF).

Federata Evropiane e Hendbollit (EHF) të mërkurën ka njoftuar për ranglistën e fundit të IHF-së, që do të merret për bazë me rastin e transferimit të lojtarëve.

IHF-ja ka ndarë ekipet kombëtare të meshkujve në tri grupe, ndërsa për bazë janë marrë rezultatet në ngjarjet globale të viteve të fundit.

Të kujtojmë që Kosova verën e kaluar për herë të parë luajti në Botërorin e juniorëve në Spanjë. Ndërkohë Kombëtarja A në janar u rendit në vend të dytë në grup në kualifikimet për Botëror, duke lënë prapa Gjeorgjinë e Italinë. Këto dhe rezultatet tjera kanë bërë që Kosova të jetë në grupin e dytë, në atë të kombëtareve të zhvilluara.

Në grupin e top-kombëtareve janë vetëm 16 kombtaret më të mira në botë: Franca, Danimarka, Spanja, Kroacia, Norvegjia, Gjermania, Suedia, Hungaria, Egjipti,Sllovenia, Tunizia, Islanda, Rusia, Brazili, Portugalia, Maqedonia e Veriut.

Kosova është në grupin e dytë të ekipeve më të mira kombëtare, atyre të zhvilluara, ku bëjnë pjesë 24 kombëtare. Pra Kosova është në grupin që ndanë pozitat nga 17 deri në 40.

Kosova dhe kombëtaret tjera të grupit të zhvilluar i lënë prapa 169 ekipe kombëtare të grupit të tretë, të kombëtareve në zhvillim.

Është ky një sukses i ri i Federatës së Hendbollit të Kosovës dhe ekipeve tona kombëtare që po ngriten në nivel gjithnjë e më të lartë. Por synimi është për avancim të mëtejmë. Rezultatet e fundit japin shpresë për këtë./Tv Malisheva

Share.