Regjistrimi i automjeteve të reja në Mbretërinë e Bashkuar ka shënuar rënie rekorde në muajin prill, si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
Shifrat e Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të automjeteve tregojnë se muajin e kaluar janë regjistruar vetëm 4,321 vetura të reja, që është niveli më i ulët mujor që nga viti 1946, transmeton rel.
Shifra e prillit shënon rënie të shitjeve për 97 për qind, krahasuar me muajin e njëjtë të vitit të kaluar.
Shoqata e Prodhuesve dhe Tregtarëve të automjeteve tha se nga regjistrimet e bëra muajin e kaluar, 70% ishin nga kompanitë.
“Nëse ju thuhet t’i mbyllni të gjitha sallat e ekspozimit të makinave, nuk është befasi që shitjet të jenë pothuajse joekzistente”, tha për BBC-në Mike Hawes, shef ekzekutiv i Shoqatës së Prodhuesve dhe Tregtarëve të automjeteve në Mbretërinë e Bashkuar.
Një zëdhënës i Shoqatës tha se shumica e veturave të shitura muajin e kaluar, kanë qenë për të mbështetur punëtorët kyçë.
Mbretëria e Bashkuar është një nga vendet më të prekura nga koronavirusi, me mbi 190,000 njerëz të infektuar dhe mbi 28,800 viktima./ Tv Malisheva