Një fotografi e vitit 2003 e Bagdadit që digjet pas një sulmi raketor është shpërndarë në një postim në Twitter nga llogaria e Misionit Rus në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Teksti në tweet, megjithatë, i referohej ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në luftën e Kosovës më 1999.

Llogaria e verifikuar shpërndau foton më 24 mars së bashku me tekstin ku thuhej: “Më 24 mars 1999 NATO-ja e udhëhequr nga SHBA filloi aktin e saj të agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar kundër Republikës Federale të atëhershme të Jugosllavisë, i cili zgjati 78 ditë”.

Fotografia e përdorur në tweet mund të shihet në imazhet e Getty me mbishkrimin, “Zjarre brenda dhe rreth Këshillit të Ministrave të Saddam Husseinit gjatë valës së parë të sulmeve në fazën “tronditje dhe frikë” të “Operacionit Çlirimi i Irakut”, më 21 mars, 2003 në Bagdad, Irak”.

Fushata e bombardimeve të NATO-s ndaj forcave serbe nga Shtetet e Bashkuara filloi në vitin 1999 dhe kishte për qëllim ndalimin e vrasjes dhe dëbimit të civilëve shqiptarë në Kosovë nga trupat e presidentit i cili është konsideruar si kasap i Ballkanit, Slobodan Millosheviq.

NATO filloi bombardimet më 24 mars dhe vazhdoi për 78 ditë derisa Millosheviqi ra dakord të tërhiqte forcat e tij nga Kosova dhe t’i jepte fund vrasjes së civilëve shqiptarë në një luftë kundër kryengritjes. Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara dhe shumica e vendeve të BE-së.

Është keqinterpretim. Fotografia tregon ngjarje nga lufta e vitit 2003 në Irak. Nuk ka lidhje me fushatën e bombardimeve të NATO-s në Serbi të vitit 1999./TV Malisheva

Share.