Ali Koç thotë se Fenerbahçe do ta priste krahëhapur sulmuesin kosovar, nëse ai vendos të rikthehet në futbollin turk. Ndërkohë, kreu i klubit turk i uron suksese dhe lumturi përfaqësuesit kosovar në Lazio

Vedat Muriqi nuk e ka treguar ende veten në Lazio.

Sulmuesi kosovar nuk ka arritur ta gjejë golin e parë në fanellën “Biancocelesti” dhe kjo ka bërë që të shtohen zërat për një largim të tij të mundshëm nga kryeqyteti italian.

Mediat turke spekulojnë se 26 vjeçari mund të rikthehet në futbollin turk ku e duan Galatasaray, por edhe ish-klubi i tij, Fenerbahçe.

Rreth kësaj çështjeje ka folur presidenti i Fenerit, Ali Koç.

“Nuk e di nëse trajneri ynë apo drejtori sportiv kanë bërë diçka për ta rikthyer Muriqin. Nuk di ndonjë gjë për rikthimin e tij të mundshëm. Si fans i Vedatit, shpresoj që ai t’i shfaq kualitetet e tij dhe të jetë i lumtur në Lazio”, ka thënë fillimisht kreu i klubit turk për mediat e atjeshme.

“Natyrisht, nëse Vedati dëshiron të rikthehet në Turqi, ne do të ishim të parët që do të reagonim dhe me siguri zgjedhja e tij e parë”, ka përfunduar biznesmeni turk.

Muriqi ka kontratë me Lazion deri në vitin 2025, ndërsa ishte transferuar në Itali verën e kaluar për 18 milionë euro.

Prizrenasi i ka zhvilluar 13 ndeshje në të gjitha kompeticionet me një total prej 391 minutash.

Por, ai është ende në kërkim të golit në fanellën e Lazios.

Muriqi mund të ketë më shumë minutazh në ndeshjen e së enjtes mbrëma ndaj Parmës në Kupën e Italisë./TV Malisheva

Share.