Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se sa i përket kapaciteteve gjeneruese, deri në vitin 2025 do të kontraktohen investime në vlerë 1.2 miliard euro, me anë të të cilave do të ndërtohen 950 megavat kapacitete të reja energjetike, përfshirë këtu investime private, publike dhe publiko-private.
Rizvanolli foli edhe për projektin e baterive, për të cilin tha se ky projekt me MCC-në do të fillojë të zbatohet pas 18 muajsh pas nënshkrimit të marrëveshjes, duke thënë se koha e zakonshme e fillimit të zbatimit të marrëveshjes është 2 vite pas nënshkrimit.
Ajo tha se janë siguruar edhe 80 milionë euro për investime në kapacitete të energjisë së ripërtishme, ku sipas saj synohet që ky investim të rritet edhe për 80 milionë euro të tjera, të cilat tha se do të shfrytëzohen për investime publiko-private në kapacitete të erës me kapacitet 150 megavat.
“Për këtë projekt, për vitin 2024 kemi të ndara 12 milionë euro, të cilat do të përdoren për dizajnim të projektit dhe aspekte të ndryshme përgatitore, pra, nga mallra dhe shërbime, 12 milionë euro janë të buxhetuara për programin e MCC-së”.
“Në fund të vitit 2024 do të tenderohet kapaciteti prej 45 megavat për rezerva sekondare, ndërsa në vitin pas kësaj, kapaciteti tjetër 125 megavat për rezerva terciare. Në çerekun e fundit të vitit 2024 do të shpallen procedurat për parkun solar prej 100 megavat në KEK dhe ngrohjen solare në Prishtinë, në total këto kontrata 180 milionë euro”.
“Gjithashtu, KEK-u në fund të këtij viti do të shpallë tenderin për rehabilitimin e thellë të njësisë A3 të Kosovës A, ndërsa investimi pritet të fillojë në vitin tjetër”.
/TV Malisheva