Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se nuk kanë asnjë informatë zyrtare në lidhje me bastisjen e djeshme në KEK. Ajo ka uruar që prokuroria të jetë efikase në secilin rast, si me atë të kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi.
Ministrja Rizvanolli tha se po presin nga institucionet e drejtësisë për paraqitjen e informacioneve në lidhje me bastisjen e djeshme.
“Në lidhje me bastisjen e djeshme ne si ministri nuk kemi marrë asnjë informatë zyrtare. Do të presim faktet dhe informacionet nga institucionet e drejtësisë para se të shprehemi dhe gjithashtu do të jemi në kontakt me bordin në lidhje me zhvillimet atje”, ka thënë ajo.
Ajo tha se nuk është ndërmarrë asnjë hap nga prokuroria, përkundër që kanë deponuar padi.
“Uroj që dyshimet ndaj kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi, uroj që efiçienca e prokurorisë në rastin e dyshimeve ndaj Nagip Krasniqit të jetë e njëjtë edhe për rastet tjera”, ka deklaruar ajo.
Po ashtu, ajo ka shtuar se kriza energjetike është menaxhuar me efekte minimale falë angazhimit të Bordit të KEK-ut.
“Kriza energjetike në Kosovë është menaxhuar me efekte minimale te konsumatorët, kjo falë edhe angazhimit të punonjësve të KEK-ut, bordit me zotëri Skender Haziri në krye, kryeshefin ekzekutiv, Nagip Krasniqi. KEK si ndërmarrje publike ka luajtur rol të rëndësishëm në menaxhimin e krizës, e para përkundër sfidave në realizimin e investimeve kapitale, KEK gjatë vitit 2022 ka realizuar planin e prodhimit në masën 97,6 për qind. Duke prodhuar 5680 gigavat orë. Termocentrali ‘Kosova A’ ka realizuar 96 për qind të planit, me 2020 gigavat orë, derisa ‘Kosova B’ ka realizuar 99 për qind të planit, me 3660 gigavat orë”, ka shtuar Rizvanolli.
/TV Malisheva