Gazetarët shqipfolës të instruktuar nga shërbimet sekrete serbe, kanë filluar para fushatën e “gjykimeve” të UÇK-së, duke ndihmuar vullnetarisht Gjykatën Speciale, e cila po bën përpjekje disa-vjeçare për të formuluar aktakuzat e para, të cilat vazhdimisht po vonojnë dhe kanë vënë në siklet jugo-gazetarët shqipfolës të Kosovës.

Spiunët e UDB-së, në rolin e gazetarëve hulumtues, në disa studio televizive në Kosovë e më gjerë, kanë filluar debatet për të “zbuluar” sipas tyre, kriminelët e UÇK-së, meqë Serbia zyrtare deklaroi se UÇK-ja ka bërë krime në Kosovë dhe ka trilluar Reçakun, Mejen dhe krejt masakrat gjatë kohës së luftës.

Tani në mbështetje të këtij qëndrimi të Serbisë, argatët e paguar brez pas brezi nga Beogradi, organizojnë debate dhe paragjykojnë “krimet” e UÇK-së”, madje shkojnë deri atje sa edhe dy mediet e vetme të luftës në Kosovë, pretendojnë t’ i inkriminojnë, se gjoja qenkan medie të formuara nga SHIK-u dhe nuk paskan pasur të bëjnë fare me informimin.

Kryesuesi i debatit, në TV-Dukagjini, më 11. 12. 2019, ka ftuar në bisedë një mbeturinë serbe në Kosovë, i cili “zbulon” se Radio-Kosova e Lirë qenka themeluar ditën kur ishte vrarë, Enver Maloku, edhe pse dihet botërisht se kur ka filluar transmetimi nga valët e Radios, në cilin vend, kur ishte marrë vendimi për themelim e saj nga SHP i UÇK-së dhe sa muaj më parë ishte siguruar teknika e transmetimit.

Kjo përpjekje për ta inkriminuar RKL-në, është e ngjashme me deklaratën e Aleksandër Vuçiqit, të janarit të vitit 1999, asokohe ministër i Informimit i regjimit të Millosheviqit, i cili disa ditë pas fillimit të transmetimit ishte zotuar se do ta shkatërronte Radion e terroristëve të UÇK-së. Por edhe pas bombardimit të selisë nga aeroplanët serbë, më 27 mars 1999, dhe pas të gjitha ofensivave të Ushtrisë e policisë së Serbisë, Radio Kosova e Lirë dhe Agjencia Kosovapress, kurrë nuk e ndërprenë transmetimin nga zonat e luftës, brenda bunkerëve të luftës, duke mbetur të vetmet medie të informimit në rajon, dhe të vetmet burime të lajmeve nga Kosova, për të gjitha agjencitë e lajmeve në botë.

Në mbrojtje të këtyre dy institucioneve të SHP të UÇK-së kanë rënë shumë dëshmorë dhe janë plagosur dhjetëra të tjerë, në mesin e tyre kanë rënë dëshmorë edhe tre reporterë.

Në vigjilje të 21-vjetorit të Radios-Kosova e Lirë dhe Agjencisë Kosovapress, TV-Dukagjini, në rolin e hetimit të krimeve të luftës së UÇK-së, lëndë e cila do t i dorëzohet Hagës, si ndihmesë shtesë e shqipfolësve të instruktuar në “ndriçimin” e krimeve të UÇK-së, ka filluar luftën për ndriçimin e krimeve, duke mbështetur moton serbe se masakrat në Kosovë kanë qenë të trilluara dhe se krime në Kosovë, para gjatë dhe pas luftës ka kryer vetëm UÇK-ja. Debatet po intensifikohen, gënjeshtrat e fabrikuara nga Beogradi po gëlltiten nga ata dhe bijtë e atyre që brez pas brezi kanë bashkëpunuar me Serbinë dhe që janë drejtues kryesorë në Policinë e Kosovës, në AKI, në Prokuroritë e vendit, në të gjitha nivelet e gjykatave, në jugo-mediet e jugo-portalet si: insajder Kosovo, Indexkosovo, ekspreskosovo, Koha.net, Zëri, Bota sot e të tjera.

Kjo “forcë” me magnitudë të kurdisur nga Beogradi, paralajmëron dridhje për UÇK-në, tërmete, Epope e fitore të Speciales, gjithnjë me shpresë të rikthimit të bashkim vëllazërimit, kthimin e Kosovës në gjirin e Serbisë ku kanë lindur, janë rritur dhe edukuar me patriotizmin jugosllav breza të tërë të hafijeve, milicëve, pandurëve, peticaxhinjve, spiunëve të disa brezave për t’u ricikluar në Kosovë, madje edhe 20 vjet pas luftës dhe fitores historike kundër regjimit më kriminal që ka njohur Evropa pas Luftës së Dytë Botërore, sikur ishte regjimi i Milosheviqit.

Kjo “forcë” mercenare e postuar sidomos në disa “mega medie” të grupeve kriminale bashkëpunëtore me firmat fitimprurëse serbe, ka përkrahje institucionale të një segmenti të Policisë së Kosovës, të mbeturinave të UNMIK-ut dhe EULEX-it në Kosovë, të AKI-së dhe të gjitha grupimeve antishqiptare, por kurrë nuk e ka pasur as e ka përkrahjen e çlirimtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të luftës, përveç në raste të izoluara dhe të veçanta.

Habit fakti sesi disa ish eprorë të luftës së UÇK-së bashkëpunojnë me këto medie, disa nga të cilat, i drejtojnë edhe bijtë e ish prokurorëve të regjimit serb. Habit fakti sa syleshë tregohen në rrëfimet e tyre të “sinqerta” për luftën, pastaj tregohen edhe servilë e bashkëpunues me to, duke pretenduar të dalin para kamerave, të bëhen objekt i bisedave nëpër kahe e “kafiqe”, duke nëpërkëmbur veten dhe atë luftë që e kanë bërë.

Drejtoria e Radios-Kosova e Lirë nuk e ka ndërmend ta padis TV-Dukagjinin për përhapje të gënjeshtrave, në radhë të parë sepse as ka besuar ndonjëherë as iu beson institucioneve të uzurpuara nga politika në Kosovë, të cilat drejtohen nga vëllezërit, motrat, nënat e nuset e po këtyre mercenarëve.

Por Radio-Kosova e Lirë ka prapa mbështetjen e luftëtarëve të vërtetë të lirisë, ka prapa idealizmin e pamposhtur shqiptar dhe përderisa i ka përballuar të gjitha armëve të Serbisë së Millosheviqit, paraprakisht edhe burgjeve anë e mbanë ish Jugosllavisë, ajo nuk pa pse i merr serioze pordhët që lëshojnë nga goja mercenarët e sotëm, të cilët lehin e lehin, por nuk kanë më dhëmbë që të na kafshojnë, sikur na kanë kafshuar vrarë e djegur, në të kaluarën e para 20 viteve e tutje. Në rastin më të mirë kanë proteza dhëmbësh të prodhuar nga Serbia që i mban dhe i financon, por as ata nuk po iu bëjnë dobi. Krejt “ymuti” i tyre është Gjykata Speciale që sipas tyre do ta dridh UÇK-në pse jo edhe pavarësinë e Kosovës.

Radio-Kosova e Lirë nuk ndodhet më në selitë dhe në bunkerët e Krojmirit e të Berishës, ku i ka shtëpitë-muze, por prej korrikut të vitit 1999 selia e saj ndodhet në rrugën Thimi Mitko nr. 6, në Kodën e Diellit në Prishtinë, e hapur në çdo kohë për të gjithë liridashësit e liri-bërësit e Kosovës, bunker i fortifikuar ku nuk hyjnë dot spiunët, mercenarët e kolaboracionistët.

Share.