Politikani dhe ish-drejtuesi i Agjencisë ruse të Hapësirës (RosCosmos), Dimitry Rogozin ka mbështetur hapur kriminelët serbë të luftës.

Rogozin me anë të një shkrimi në Twitter ka thënë se Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq janë dy heronj.

“Dy heronj të popullit vëlla serb dhe dy shokët e mi. Profesor Radovan Karaxhiq, ish-kreu i Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë dhe gjenerali Radko Mlladiq, ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Serbe. Në vitet 1994-1996 takoheshim shpesh”, ka theksuar Rogozin.

“Serbët në Bosnje dhe populli serb në tërësi i qëndrojnë besnik traditës së miqësisë sonë shekullore. Shpresoj që edhe malazezët t’i flakin tutje tradhtarët e pushtetit dhe të kthehen në familjen tonë”, shton ai.

Ish-udhëheqësi i serbëve të Bosnjës e Hercegovinës, Radovan Karaxhiq është dënuar me 40 vjet burgim në vitin 2016, pasi është shpallur fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës. Në këtë masakër, që ka ndodhur në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës kanë vrarë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë.

Karaxhiq është arrestuar më 18 korrik të vitit 2008 në Beograd, pasi ka kaluar më shumë se një dekadë në arrati.

Ndërsa, Mladiq, i njohur si “Kasapi i Ballkanit”, nga Tribunali i Hagës është dënuar me burg të përjetshëm. Ai u shpall fajtor për gjenocid në Srebrenicë dhe për krime të tjera që janë bërë në Bosnje e Hercegovinë./TV Malisheva

Share.