Iu deshën disa javë gjumë në një shtrat të improvizuar në arkë me granata, duke u fshehur nga ukrainasit, mes një ndjenje faji, që oficeri rus të arrinte në përfundim: lufta në Ukrainë nuk ishte betejë për të.

Historia e tij është mbresëlënëse. Oficeri rus, që CNN-i ia fshehu identitetin, u bë pishman që mori pjesë në luftime ndaj Ukrainës dhe në një ditë, e takoi komandantin për t’ia kumtuar dorëheqjen.

“Ishim të pisët dhe të lodhur. Njerëzit rreth nesh po vdisnin. Nuk doja të ndihesha sikur isha pjesë e saj, por, isha pjesë e saj”, deklaroi ai.

Oficeri mund të jetë vetëm një nga personat e shumtë që hoqi dorë nga pjesëmarrja në luftë. Në mesin e kundërshtarëve ka edhe ushtarë, rekrutues dhe profesionistë ushtarakë.

Oficeri i dorëhequr deklaroi se ishte pjesë e grumbullimit masiv të trupave në perëndim të Rusisë. Ai tha se më 22 shkurt e ftuan atë dhe një batalion të tërë që t’i dorëzonin telefonat celularë, e të stacionoheshin në Krasnodar, në jug të vendit, pa asnjë shpjegim.

“Atë natë, ata (ushtarakët rusë v.j), kaluan orë të tëra duke i lyer me të bardhë automjetet ushtarake. Pastaj thanë t’i lanin dhe të vizatonin shkronjën ‘Z’, si të ‘Zorro-s’, deklaroi ai. “Të nesërmen na çuan në Krime. Të them të drejtën, mendova se nuk do të shkonim në Ukrainë. Nuk e mendoja fare se do të vinte deri te kjo”.

Shtoi se ai dhe bashkëluftëtarët ishin tërësisht të izoluar nga informacionet rreth aksionit.

“Shumë nuk e kuptuan se për çfarë ishte e gjithë kjo dhe çfarë po bëjmë këtu. Dy ditë më vonë ata na urdhëruan për në Ukrainë. Disa djem refuzuan. Ata shkruan raporte dhe u larguan. Nuk e di se çfarë ndodhi me ta. Unë qëndrova. Nuk e di pse”.

Oficeri i paidentifikuar shtoi se nuk e dinte qëllimin e misionit, ndërsa pretendimet “bombastike” të presidentit rus, Vladimir Putin, për “denazifikim” të Ukrainës, nuk pinë ujë te burrat që iu kërkua të luftonin.

Ai shtoi se ka shpresuar për një zgjidhje diplomatike dhe se ndihej fajtor për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, por që vet nuk ishte i aftë për politikë.

Gjëja e parë që kujton oficeri është kur njësia e tij kaloi kufirin me një kolonë të gjatë automjetesh. U nis drejt veriperëndimit, në Kherson.

“Ndërsa iu afruam një fshati, një burrë me kamxhik u hodh jashtë dhe filloi të fshikullonte ukrainasit që ishin në kolonë, teksa bërtiste: ‘Ju të gjithë jeni të vdekur’”, kujtoi oficeri.

Zyrtari i ushtrisë ruse deklaroi se në javën e parë të luftimeve ishte në një gjendje të rëndë, e nuk mendonte asgjë.

“Shkova në shtrat duke menduar: sot është 1 mars. Nesër do të zgjohem, do të jetë 2 mars. Gjëja kryesore është të jetoj edhe një ditë tjetër. Disa herë predhat ranë shumë afër. Është një mrekulli që askush nga ne nuk vdiq”, rrëfeu ai.

Rusi kujtoi momentet kur i mësuan shpërblimet që do t’i merrnin pas luftimeve.

“Ishte një reagim si, ah, edhe 15 ditë këtu dhe do ta mbyllë kredinë”.

Duke folur për dezertimet, oficeri tha se është shndërruar në një fenomen masiv. Rreth 1 mijë ushtarë rusë deri më tani kanë hequr dorë nga lufta, e mijëra të tjerë janë vrarë nga forcat ukrainase.

“Çfarë do të ndodhë më pas, unë nuk e di, por jam i lumtur që jam kthyer në shtëpi”, tha ai në një intervistë për CNN.

/TV Malisheva

Share.