Të pasurit një shtëpi të madhe me hapësirën e duhur për të gjithë anëtarët e familjes është ëndërr e secilit prej nesh. Por mes ëndrrës dhe realitetit, njeriu mjaftohet me atë shtëpi që mund të përballojë financiarisht.

Edhe nëse shtëpia që keni zgjedhur mund të jetë e vogël, me truket e duhura ju mund t’i jepni asaj dhe vetes një hapësirë më të bollshme. Ekspertët e AgroWeb.org ofrojnë këshillat e mëposhtme që të bëni shtëpinë tuaj të duket më e madhe.

Zgjidhni ngjyra të çelëta

Sipas ekspertëve ngjyra me të cilën do të lyeni shtëpinë luan një rol domethënës në krijimin e idesë së një hapësire të madhe ose të vogël. Nëse dëshironi që shtëpia të duket më e madhe jepini dritë asaj duke zgjedhur ngjyra të çelëta e të hapura. Mobiljet dhe tapiceritë gjithashtu duhet të kenë ngjyra të çelëta.

Ndriçimi

Arkitektët sugjerojnë zbatimin e rregullit të artë të ndriçimit, që ka të bëjë me vendosjen e tre burimeve të ndriçimit në çdo dhomë. Kësisoj, ato do të krijojnë një hapësirë drite që vizualisht do të duket sikur ka zmadhuar hapësirën e dhomës. Trekëndëshi i dritës do ta bëjë shtëpinë të duket më e madhe nga sa është.

Transparenca

Ekspertët sugjerojnë që të investoni në mobile transparente, tryeza xhami e karrige transparente të cilat tani janë shumë në modë. Sa më transparente t’i keni mobiljet, aq më e madhe do të duket shtëpia.

Pasqyrat

Pasqyrat reflektojnë dritën dhe krijojnë iluzionin e të paturit një apartament më të madh. Me pasqyrat mund të përdorni edhe fantazinë dhe të luani me kornizat dhe madhësinë e tyre.

Rafte të larta

Raftet duhen vendosur në pika më të larta që shikimi të shkojë sipër. Kësisoj krijohet ideja e një hapësire më të madhe. Në këto rafte mund të vendosni libra, dekorime të vogla dhe vazo.

Larg rrëmujës

Mobilimi i rrëmujshëm dhe kaotik i shtëpisë e mbyll dhe e zvogëlon atë. Në mobilimin e shtëpisë duhet të jeni minimalistë dhe të shmangni sa më shumë rrëmujën që të krijoni idenë e një hapësire të madhe e të pastër.

Më pak piktura

Mos i mbushni muret me piktura e korniza. Zgjidhni një pikturë të madhe që krijon idenë e hapësirës së madhe dhe shmangni kornizat e vogla që e ngushtojnë atë. /TV Malisheva

Share.