Disa persona janë zhdukur pasi një stuhi e fortë shkaktoi një rrëshqitje dheu në ishullin italian të Ischias.

Ishulli, në Gjirin e Napolit, u përfshi nga shiu i madh gjatë natës, me rrëshqitje të dheut që goditën fshatin Casamicciola Terme herët të shtunën në mëngjes, duke përmbytur shtëpi dhe duke rrëmbyer disa makina.

Zëvendëskryeministri Matteo Salvini tha më herët se tetë persona kishin vdekur.

Por prefekti i Napolit, Claudio Palomba,tha se për momentin, nga të gjitha institucionet e përfshira, nuk ka raporte për vdekje të konfirmuara. “Asnjë trup nuk është gjetur”, tha ai.

Palomba tha se situata po evoluonte, por ishte shumë serioze dhe e ndërlikuar, me 12 persona të zhdukur dhe njerëz të bllokuar nën baltë.

Mes të zhdukurve është një familje me dy fëmijë dhe një çift me një fëmijë të porsalindur, sipas lajmeve italiane. Një 60-vjeçar është dërguar në spital me plagë të rënda, raporton Guardian.

Në zonën e prekur është ndërprerë energjia elektrike dhe rreth 30 familje kanë mbetur të bllokuara në banesat e tyre në fshatin Lacco Ameno, ku raportohet se janë shembur disa ndërtesa.

Pjesa më e madhe e Italisë është goditur nga shirat e dendur gjatë javës së kaluar.       /TV Malisheva

Share.