Rrëzimi i një avioni në Kavala, që sipas mediave greke dyshohet se mund të ketë qenë duke bartur 12 tonë municione e qe ishte nisur nga Serbia e po fluturonte drejt Jordanisë ka alarmuar autoritetet lokale e qendrore.
Tashmë po shqyrtohet mundësia që banorët e fshatit Antiphilippi të Kavalas, vendi ku u rrëzua avioni tip Antonov, mund të evakuohet.
Kryebashkiaku i Pangaiou, Filippos Anastasiadis, ka deklaruar evakuimi mund të ndodhë për shkak të municioneve të shpërndara në vend dhe frika se mund të ketë shpërthime të tjera.
Sipas gjeneral-majorit të Brigadës së Zjarrfikësve Marios Apostolidis, kreu i ekipit operacional, anëtarët e shërbimit zjarrfikës me pajisje speciale dhe instrumente matëse iu afruan pikës së goditjes së avionit dhe panë nga afër pjesët e avionit të shpërndara në fusha.
Apostolidis nënvizoi se nga hetimi në vendngjarje “në terren u konstatua paqëndrueshmëri pasi ka tymnajë dhe vapë intensive si dhe një substancë të bardhë me origjinë të panjohur, por instrumentet matëse nuk kanë treguar asgjë alarmante. Faza tjetër është fluturimi i një droni për të vëzhguar të gjithë zonën ku ra avioni. Pasi të konstatohet se ka stabilitet në terren dhe nuk ka rrezik për sigurinë e njerëzve që ndihmojnë në operacion, i gjithë procesi do të fillojë”.
Banorët janë këshilluar që të mos i afrohen zonës, të mbajnë dyer dhe dritare të mbyllura dhe të mos përdorin kondicionerët, derisa të bëhet një vlerësim i sigurt i ndotjes së mundshme të ajrit nga materialet e avionit./TV Malisheva