Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me shqetësim të thellë ka pranuar lajmin e publikuar dje në media për dhunimin dhe keqtrajtimin e shumëfishtë të një 13 vjeçareje në Janjevë.
RrGK në një reagim thekson se pavarësisht se fëmijët dhe gratë janë grupet më të prekura nga dhuna me bazë gjinore, dhe se kohët e fundit janë bërë publike raste serioze të dhunimeve ndaj vajzave, jemi dëshmitarë të një heshtjeje institucionale dhe trajtimi joserioz të këtyre rasteve nga ana e drejtësisë.
“Andaj, RrGK, përmes këtij reagimi, përsërit për të disatën herë se rastet e tilla duhet të shërbejnë si moment zgjimi dhe arsye shtesë që këto krime ndaj vajzave e grave të trajtohen me prioritet, dhe që kryesit e këtyre krimeve të dënohen pa asnjë kompromis. Është barrë për secilin prej nesh që vajzat në shoqërinë tonë përjetojnë këso dhunime, para syve tanë, e institucionet në të shumtën e rasteve japin dënime të ulëta, si dhe nuk parandalojnë këto krime. Ky rast, na tregon për një zinxhir të neglizhencës e fajtorëve- duhet të ndërmerren masa ndëshkuese edhe për ata të cilët e kanë dëbuar nga shtëpia dhe të tjerët që nuk i kanë dalë në ndihmë kësaj vajze dhe nuk e kanë lajmëruar policinë.Përmes kësaj kumtese, RrGK shpreh indinjatë të thellë për këtë rast, duke u zotuar njëherësh që do të ngremë zërin për të kërkuar drejtësi, ashtu si për çdo vajzë e grua tjetër të dhunuar e të vrarë. Po ashtu, RrGK kërkon nga mediat që të kenë kujdes të shtuar në raportimin e rastit, duke qenë se kemi të bëjmë me një vajzë të mitur. Identiteti i viktimës duhet të jetë i mbrojtur në çdo raportim, e me çdo kusht- vetëm kështu mediat do të luajnë rolin që u takon në luftimin e dhunës ndaj grave e vajzave në Kosovë”, thuhet në reagim.
RrGK nuk do të ndalet derisa dhuna ndaj vajzave e grave të mos trajtohet vetëm si lajm ditor apo si çështje private./TV Malisheva