Papunësia në Gjermani u rrit nga 0,1 % në 5,1 % në muajin gusht, rreth 2,319 milionë të papunë në ekonominë më të madhe të Europës, njoftoi të enjten Agjensia Federale Gjermane e Punësimit (BA).
“Ekonomia e dobësuar po lë gjurmë të lehta në tregun e punës, por ajo është ende përgjithësisht e fortë. Shtimi i punësimit po vazhdon, por ka më pak vrull, kurse kërkesa e kompanive për punonjës të rinj është ende në një nivel të lartë, por ka shënuar rënie të lehtë”, theksoi kreu i BA-së Detlef Scheele.
Numri i të papunëve në Gjermani u rrit me 44,000, në krahasim me muajin korrik dhe u ul me 31,000, krahasuar me të njëjtin muaj, një vit më parë.
Në gusht, në zyrën e punës u regjistruan 795,000 pozicione të hapura, që është 33,000 më pak se një vit më parë. Treguesi i punësimit i Zyrës së Punës zbriti një pikë në gusht, krahasuar me muajin korrik (242 pikë), që është 10 pikë më poshtë se vitin e kaluar.
Ekonomia gjermane po shfaq gjithnjë e më shumë shenja për të kaluar në një recesion teknik, i cili zakonisht shënohet nga 2/4 e tkurrjes ekonomike.
Gjermania, aktualisht, parashikon një rritje ekonomike me 0.5 % për vitin. Në tremujorin e dytë të vitit, prodhimi i brendshëm bruto u tkurr me 0,1 përqind./atsh