Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, sot ka takuar drejtorët e Spitaleve të Përgjithshme, me të cilët ka diskutuar për kapacitetet dhe planet për menaxhim të pandemisë, pas rritjes së rasteve të reja me koronavirus.
Duke e konsideruar si një takim të zakonshëm, Krasniqi tha se aktualisht situata është e qetë dhe numri i të shtrirëve në spitale dhe klinikat e QKUK-së sillet tek 40-shi.
Krasniqi theksoi se këto shifra iu mundësojnë atyre të ofrojnë të gjitha shërbimet mjekësore dhe spitalore.
Krasniqi: Tani për tani situata është e qetë
“Me tendencën e rritjes së rasteve epidemiologjike ne si SHSKUK duhet të jemi të përgatitur siç që kemi qenë gjithmonë për të përballuar ndonjë fluks më të madh të pacientëve. Tani për tani situata është e qetë, numri i të shtrirëve në spitalet tona dhe në QKUK sillet diku tek 40-të dhe ne i kemi planet për menaxhim të pandemisë për rastet që do të kërkojnë spitalizim… Në nivel të SHSKUK-së ne do të vazhdojmë me ofrimin e shërbimeve në mënyrë të rregullt pasi numri i pacientëve të shtrirë në klinikat tona nuk është i madh dhe na lejon të vazhdojmë me shërbime normale”, tha ai.
Drejtori i Shërbimi Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, si shqetësim e ka ngritur mungesën e infermierëve, për çka tha se sot edhe zyrtarisht do të bëjnë kërkesë në MSh për shtimin e këtyre kapaciteteve.
Krasniqi: Sot zyrtarisht do të bëjmë kërkesë për shtim të numrit të infermierëve
“Ka mungesa në disa lëmi siç janë anesteziologët, infektologët, pulmologët, mjekët specialistik, të emergjencës, pra kemi mungesa në nivel të QKUK-së. Fatkeqësisht, nuk kemi të dhëna që mjekët kanë kryer specializime në këto drejtime. Ndërkohë që mungesat më të mëdha i kemi tek infermierët dhe sa i përket mungesës së stafit infermieror në diskutimet me Ministrinë e Shëndetësisë e kemi paraqitur, këtë kërkesë tashmë janë të njoftuar të gjithë dhe sot zyrtarisht do tu drejtohemi me kërkesë. Ne jemi të informuar që edhe MSh po bënë përpjekje të punësojë staf shtesë në veçanti të infermierëve”, tha ai.
Sipas raportit 24 orësh të ShSKUK-së, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka numrin më të madh të rasteve të hospitalizuara për shkak të infektimit me COVID-19.
Drejtori i këtij spitali, Fazli Shala tha se aktualisht janë të shtrirë 8 pacientë, por gjendja është e menaxhueshme dhe se kanë kapacitete të mjaftueshme.
Shala: Të shtrirë momentalisht i kemi 8 pacientë me COVID
“Momentalisht i kemi 8 të shtrirë prej tyre janë 3 në gjendje të rëndë, dy janë me oksigjeno-terapi, rastet tjera janë të menaxhueshme. Nuk jemi ndonjë tendencë apo parametër që tregon se kemi tendencë që me u ngrit në mënyrë enorme numri i tyre…Spitali jonë ka kapacitete 220 shtretër mund t’i fusim në funksion i kem dy reparte që ende nuk i kemi shfrytëzuar kapacitetet e para dhe kemi planin e veprimit me faza”, tha drejtori i Spitalit të Pejës.
Shala theksoi numrin e vogël të infektologëve, por edhe nevojën për shtim të infermierëve.
Shala: Problematike e kemi numri e profesionistëve
“Problematike e kemi numri e profesionistëve për shkak se momentalisht i kemi dy pas 1 muaji del në pension njëri mbesim vetëm me infektologë… Kemi infermierë por kemi nevojë për hala më tepër infermier por tash do të shohim përmes MSh kemi gjasa që me na lejuar sikur vitin e kaluar staf mbështetës… Në krahasim me vitin e kaluar janë simptoma më të lehta dhe pavarësisht asaj 8 rastet që i kemi na gati të tetat janë pas dozës së dytë, nuk kemi pas asnjë tek personat që nuk kanë qenë të vaksinuar”, u shpreh Shala.
Aaktualisht në gjitha klinikat dhe spitalet e përgjithshme janë të shtrirë 39 pacientë, prej tyre në respirator është një pacientë, kurse 19 janë me oksigjeno-terapi.
E vetëm në 24 orët e fundit dy raste të vdekjes janë regjistruar, ndërsa raste të reja të evidentuara janë 175.
Drejtori i ShSKUK-së, Valbon Krasiqi dje ka takuar edhe drejtorët e Klinikave të QKUK-së për të diskutuar rreth rritjes së rasteve të reja me koronavirus. /TV Malisheva