Ish-deputetja Rudina Hajdari gjatë mesazhit të saj drejtuar qytetarëve në protestë nuk i ka mbajtur lotët teksa ka kujtuar të atin, Azem Hajdari.

“Teksa vija këtu bëra një copë rrugë me disa qytetarë që historikisht e kanë mbështetur PS-në dhe sot janë këtu në shesh. Do doja t’i përshëndesja ata dhe të gjithë ata që e kanë kuptuar që beteja sot nuk është mes partive, mes militantëve, beteja është mes gjithë shqiptarëve nga njëra anë dhe klubit të miliarderëve nga ana tjetër. ky klub miliarder po zhvat jo vetëm buxhetin e shtetit, jo vetëm burimet natyrore, jo vetëm pronën publike, por mbi të gjitha është duke zhvatur ëndrrat tona dhe të fëmijëve tanë, për një të ardhme më të mirë. Ky shesh sot nuk është vetëm i demokratëve, por për të gjithë ata sepse kjo betejë nuk mund të jetë vetëm e demokratëve, por e gjithë shqiptarëve që duan të jetojnë në Shqipëri dhe të çlirohen njëherë e mirë nga kthetrat e miliarderëve në pushtet.

Sa prej jush i kanë fëmijët sot në emigrim, çoni duart tuaja. E shikoni sa jemi sot në shesh që fëmijët tanë nuk i kemi këtu. Si mund të begatohet një vend kur rinia largohet. Si mundet një baba e një nënë që të çojë dritën e syve në emigrim, si mundet një familje që nuk paguan dot faturën e energjisë dhe nuk paguan dot ushqimin të rrijë në këtë vend. Si mundet një baba të jetë i qetë kur nuk i siguron dot veshjet e lodrat e fëmijëve, arsimin. A e dini që në këtë vend ka fëmijë që akoma nuk e kanë parë detin. Si mundet një student të jetë i qetë kur nuk paguan dot as ushqimin, as qiranë. Si mundet një pensionist të jetë në paqe kur nuk paguan dot me pensionin e tij as ushqimin as ilaçe. Ndaj ne duhet të sigurohemi që as klubi i miliarderëve të mos ketë paqe.

Motra dhe vëllezër, unë jam Rudina Hajdari dhe sot të flas këtu është një privilegj i madh në këtë foltore dhe ju që jeni mbledhur këtu më kujtoni Azem Hajdarin, Azemi kishte vetëm një mision që ta kthente Shqipërinë në një vend të begatë. Ju më mbushni me shpresë dhe energji që të luftoj sa më shumë. Ju përqafoj dhe ju dua shumë të gjithëve”, deklaroi Hajdari.

Share.