Zyrtarët në qytetin jugor të Ukrainës, Kryvyi Rih, thonë se 112 shtëpi janë përmbytur pasi raketat ruse goditën një digë të madhe rezervuari aty pranë. Banorëve të rreth 22 lagjeve iu kërkua të evakuohen, tha kreu i qytetit Oleksandr Vilkul. Mirëpo nuk u raportua për viktima.
Vilkul deklaroi se gjatë natës rusët goditën dy herë digën porse situata tani ishte “nën kontroll”.
Ukraina tha se sulmi ishte hakmarrje nga Rusia për kundërsulmin e saj të fundit, raportoi BBC.
Presidenti Volodymyr Zelensky e përshkroi Rusinë si një “shtet terrorist” pas sulmit të së mërkurës në rezervuarin Karachunivske.
“Ju jeni të dobët që luftoni civilët”, tha Zelensky, i cili ka lindur në Kryvyi Rih, në fjalimin e tij vonë natën e mërkurës. “Të poshtrit që, pasi janë arratisur nga fusha e betejës, po përpiqen të bëjnë dëm nga diku larg”, shtoi ai.
Kjo ishte një referencë e dukshme për sukseset e fundit ushtarake të Ukrainës në një kundërofensivë të shpejtë në rajonin verilindor të Kharkiv. U raportua se ushtria e Ukrainës ka rimarrë pjesë të territorit të pushtuar, duke i detyruar trupat ruse të tërhiqen.
Në fjalimin e tij, Zelensky tha se rezervuari “nuk kishte fare vlerë ushtarake”.
/TV Malisheva