Ata duhej t’i jepnin presidentit të gjitha informacionet e nevojshme në mënyrë që  të vlerësonte me kujdes situatën brenda Ukrainës dhe të vendoste se çfarë të bënte.

Por, kreu i shërbimit të huaj të inteligjencës së FSB-së dhe zëvendësi i tij, dhanë informacione të rreme dhe vodhën paratë e destinuara për të rekrutuar agjentë, për të mbledhur pjesë të inteligjencës dhe për të organizuar operacione subversive.

Dhe tani ata të dy janë në arrest shtëpiak, sipas një eksperti të cituar për çështjet ushtarake ruse, Andrei Soldatov, marrë nga faqja e informacionit, “meduza.io”.

Vladimir Putin është tërbuar, sepse tabloja e gabuar e realitetit ukrainas është në themel të bllokimit aktual të ushtrisë pushtuese.

Sipas burimeve të ndryshme, pritshmëritë në fillimin e “Operacionit Special Ushtarak” ishin krejt të ndryshme. Brenda pak orësh vendi i pushtuar duhet të ishte rrëzuar dhe ushtrisë ukrainase vështirë se do t’i duhej të reagonte ndaj misionit “miqësor” të kolegëve të tyre rusë.

Sergej Beseda është kreu i shërbimit të pestë të FSB-së, pasardhësi kryesor i KGB-së, që tani është Departamenti i Informacionit Operacional (Doi) i krijuar nga vetë Putini kur ai ishte kreu i FSB-së në vitet 1990.

Spiunazhi i huaj ishte tashmë prerogativë e SVR-së (ish drejtoria e parë e KGB-së) dhe e GRU-së, një shërbim spiunazhi ushtarak. Por Vladimir Vladimirovich donte që “sytë” e tij të drejtoheshin mbi të gjitha për operacionet e inteligjencës në ish-republikat sovjetike, të cilat ishin bërë të pavarura në fund të vitit 1991.

Pas të ashtuquajturave revolucione me ngjyra të fillimit të këtij shekulli (ai i trëndafilave në Gjeorgji, më pas ai portokalli në Ukrainë dhe i tulipanëve në Kirgistan), Putini do të kishte filluar t’u besonte vetëm njerëzve të FSB-së.

Në fillim të pushtimit, më 24 shkurt, Beseda dhe zëvendësi i tij Anatolij Bolyukh kishin për detyrë, sipas raporteve që megjithatë u mohuan kategorikisht nga Kremlini, të dërgonin një ekip special për të vrarë presidentin Zelenskij.

Beseda dyshohet se iu drejtua disa qindra guerilasve çeçenë, shumë besnikë ndaj presidentit Kadyrov. Megjithatë, çeçenët u eliminuan të gjithë nga kundërzbulimi ukrainas. Ky dështim, së bashku me raportet e gabuara për situatën e brendshme të Ukrainës, do ta kishin bindur Putinin të “hiqte qafe” Besedën dhe Bolyukh, shkruan Gazeta Si.

E gjithë historia duket se tregon edhe ekzistencën e përplasjeve të brendshme në organet e inteligjencës dhe ndërmjet shërbimeve të ndryshme të FSB-së.

Ukrainasit zbuluan se ata morën informacion mbi çeçenët nga një informator i thellë brenda FSB-së. Nëse është e vërtetë, sigurisht që ishte dikush që donte ta nxirrte Besedën, deri vonë në hirin e Putinit.

Zërat e brendshëm në organe, mohojnë shumë nga akuzat dhe thonë se analistët ishin mbajtur në errësirë ​​për planet e pushtimit dhe për këtë arsye nuk mund të jepnin një pasqyrë të dobishme të situatës.

Sipas disa lajmeve që u shfaqën në internet, duket se shumë agjentë nuk do të kishin besim të madh në të ardhmen.

Një kontroll i shtëpive për shitje në Krime, zbuloi se ditët e fundit një numër i madh apartamentesh në pronësi të punonjësve të shërbimit dhe zyrtarëve publikë janë hedhur në treg.

/TV Malisheva

Share.