Rusia ka goditur atë që e përshkroi si një “objekt ushtarak” në periferi të Kievit, dy ditë pasi kërcënoi se do të godiste objektivat në kryeqytet si përgjigje ndaj sulmeve të supozuara të Ukrainës në tokën ruse, tha ushtria ruse të premten.
“Sonte një objekt ushtarak në periferi të Kievit u godit nga raketa me precizion të lartë me rreze të gjatë veprimi nga deti”, tha zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjeneralmajor Igor Konashenkov.
“Si rezultat i goditjes në fabrikën e makinerisë Zhuliany Vizar, u shkatërruan punëtoritë për prodhimin dhe riparimin e sistemeve të raketave kundërajrore me rreze të gjatë dhe të mesme, si dhe raketa kundër anijeve”, shtoi Konashenkov, shkruan CNN.
Ushtria ruse paralajmëroi të mërkurën se do të godiste “qendrat vendimmarrëse” të Ukrainës, përfshirë ato në kryeqytetin e Ukrainës, në përgjigje të asaj që Rusia tha se ishin “përpjekje sabotimi dhe sulmi” në territorin rus.
Të enjten, zyrtarët rusë pretenduan për sulme ukrainase përtej kufirit brenda Rusisë, deklarata që sipas ukrainasve ishin një përpjekje ruse për të krijuar një tregim të rremë për të përshkallëzuar sulmet ndaj Ukrainës.
Madje, sulmet me raketa në kryeqytetin ukrainas “do të rriten në përgjigje të kryerjes së çdo sulmi nga regjimi nacionalist i Kievit të një natyre terroriste ose sabotazhi në territorin rus”, tha Konashenkov të premten, duke përdorur gjuhë propagandistike për të përshkruar qeverinë ukrainase.
Ndryshe, të enjten, një nga luftanijet më të rëndësishme të Rusisë u fundosë në Detin e Zi.
Ukraina pretendoi se kishte goditur atë me raketa, ndërsa ushtria ruse pranoi vetëm se anija ishte fundosur pas një zjarri në bord dhe shpërthimit të municioneve.
/TV Malisheva