Rusia konfirmoi se kishte nisur dërgimin e drithërave nga territoret e pushtuara në Ukrainë. Një anije me 7000 tonë drithëra u largua të enjten, më 30 qershor nga porti i qytetit të pushtuar të Berdyanskut, sipas një zyrtari rajonal pro-rus.
Prej muajsh Kievi e ka akuzuar Rusinë se po vjedh drithërat e saj nga jugu i vendit dhe po bllokon eksportin nga portet, duke kontribuuar në krizën ushqimore globale, diçka që Moska e ka mohuar vazhdimisht.
Bllokimi i porteve në Detin e Zi, një rrugë kyçe për anijet që transportojnë produktet ushqimore, kanë sjellë një rritje substanciale të çmimeve të produkteve ushqimore.
Autoritetet ukrainase kanë bërë të ditur se këtë vit, vendi pritet të korrë 65 milionë tonë drithë dhe fara luledielli, krahasuar me 106 milionë në vitin 2021. Shkak për këtë rënie të prodhimit është humbja e një pjese të territorit ndaj Rusisë.
Ministria e Bujqësisë në Ukrainë bëri të ditur se fermerët në jug dhe lindje të Ukrainës kanë nisur tashmë të vjelin të korrat e 2022-it.
/TV Malisheva